Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se zgjerimi i operacioneve ushtarake të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës mund të ketë “pasoja katastrofike”.
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca, gjatë një raportimi në Këshillin e Sigurimit të martën, e cilësoi planin izraelit si “jashtëzakonisht shqetësues”.
“Kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe mund të vërë më tej në rrezik jetën e pengjeve që ndodhen ende në Gaza,” deklaroi Jenca.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit u thirr nga Izraeli, pas publikimit të një videoje nga Hamasi ku shfaqeshin dy pengje izraelitë në gjendje të rënduar fizike.
Në fjalën e tij, Jenca e përshkroi pamjen ku pengu Evaytar David detyrohej të gërmonte varrin e vet si “tronditëse”, ndërsa imazhet e tij dhe të Rom Braslavsky i cilësoi si “fyerje ndaj vetë njerëzimit”.

