Foshnjat në Rripin e Gazës, të shkatërruar nga lufta, po lindin gjithnjë e më shumë të kequshqyera, sepse nënat e tyre nuk kanë qenë në gjendje të ushqehen në mënyrë adekuate për muaj të tërë gjatë shtatzënisë, tha të martën agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF.
Izraeli e kufizoi rëndë aksesin në ushqim dhe furnizime gjatë luftës. Një armëpushim ka qenë në fuqi që nga tetori, megjithëse grupet e ndihmës paralajmërojnë se situata humanitare mbetet e tmerrshme.
Kequshqyerja mund të ketë pasoja shëndetësore për gjithë jetën, paralajmëroi Tess Ingram, një zëdhënëse e UNICEF-it që punon në Gaza.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të pësojë plagë nga lufta, përpara se të ketë marrë frymën e parë”, u tha Ingram gazetarëve në Gjenevë, nëpërmjet një lidhjeje video. “Foshnjat me peshë të ulët në lindje kanë rreth 20 herë më shumë gjasa të vdesin, sesa foshnjat me peshë normale.”
Gati 40% e grave shtatzëna të ekzaminuara nga UNICEF midis korrikut dhe shtatorit, ishin të kequshqyera.

