Qindra fëmijë në Gazë vazhdojnë të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë edhe pas armëpushimit të tetorit, që supozohej të mundësonte rritjen e ndihmës humanitare. Kështu njoftoi këtë të martë, më 9 dhjetor, UNICEF, agjencia për fëmijë e OKB-së.
Sipas UNICEF, vetëm në muajin tetor rreth 9 mijë e 300 fëmijë u trajtuan për kequshqyerje të rëndë akute, një shifër më e ulët se kulmi prej mbi 14 mijë fëmijësh në gusht, por ende shumë më e lartë se gjatë armëpushimit të periudhës së shkurt-marsit.
Zëdhënësja Tess Ingram tha se kjo tregon se ndihmat humanitare nuk janë të mjaftueshme.
“Numri është ende shokues,” tha ajo. “Numri i fëmijëve të pranuar është pesë herë më i lartë se në shkurt, ndaj duhet të shihet një ulje e mëtejshme,” deklaroi Ingram në një konferencë për mediat nga Gjeneva. Ajo përshkroi edhe rastet e të porsalindurve me peshë nën 1 kilogram, duke u përpjekur të mbijetojnë.
UNICEF është në gjendje të dërgojë më shumë ndihma në enklavë, por pengesat mbeten, përfshirë vonesa dhe refuzime të ngarkesave në pikëkalime, mbyllje rruge dhe sfida sigurie. Mishi dhe ushqimet e tjera mbeten shumë të shtrenjta, duke bërë që shumë familje të mos kenë qasje.
“Kemi parë disa përmirësime, por vazhdojmë të kërkojmë që të gjitha pikat e kalimit të disponueshme drejt Rripit të Gazës të jenë të hapura,” shtoi Ingram.
Në gusht, një monitorues i urisë i mbështetur nga OKB-ja raportoi se rreth 500 mijë njerëz, një e katërta e popullsisë së Gazës, po përjetonin kushte urie. Ekspertët paralajmërojnë se kequshqyerja e fëmijëve mund të ketë pasoja afatgjata.

