OKB ndalon shpërndarjen e ndihmave në Rafah

schedule08:37 - 22 Maj, 2024

schedule 08:37 - 22 Maj, 2024

Kombet e Bashkuara pezulluan të martën shpërndarjen e ushqimeve në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë shkaktuar nga zgjerimi i operacionit ushtarak të Izraelit.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se operacionet humanitare në të gjithë territorin ishin drejt kolapsit.

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se Izraeli u është përgjigjur shumë prej shqetësimeve të administratës së presidentit Joe Biden lidhur me planet për një ndërhyrje tokësore në Rafah që synon çrrënjosjen e luftëtarëve të Hamasit atje.

Presidenti Biden kishte kundërshtuar një sulm të përgjithshëm ushtarak në qytetin e mbushur me civilët e zhvendosur nga pjesët e tjera të Gazës, nëse nuk i jepej përparësi sigurisë së palestinezëve të pafajshëm.
Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht.
Zyrtari tha se administrata nuk i dha dritën e gjelbër planit për ndërhyrje, por tha se ndryshimet që bënë zyrtarët izraelitë lënë të kuptohet se ata po i marrin seriozisht shqetësimet e administratës amerikane. Gjatë dy javëve të fundit, qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rafah në mënyrë kaotike, duke kërkuar strehim në kampe të reja ose duke u mbledhur në zonat tashmë të shkatërruara nga ofensivat e mëparshme izraelite.

Rreth 400,000 njerëz besohet se janë ende në Rafah pasi rreth 900,000 të tjerë u larguan me nxitim, sipas COGAT-it, zyra ushtarake izraelite përgjegjëse për çështjet civile palestineze.

Marrja e ndihmave për civilët e zhvendosur është penguar nga pikë-kalimet e mbyllura, si dhe nga problemet me platformën e re lundruese të ushtrisë amerikane, që synonte të ofronte një rrugë alternative detare për të futur ndihmat në Gaza. Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder u tha gazetarëve në Uashington se ditët e fundit, dërgimi i ndihmave nga platforma ishte ndalur, por se rifilloi të martën. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se po i mbaronin furnizimet për Gazën qendrore, ku tani jetojnë qindra mijëra njerëz./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!