Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për Krimenë me anë të së cilës i kërkohet Rusisë që të përmbushë 12 rekomandime pasi ajo po shkel të drejtat e njeriut në vend. Kievi e interpretoi vendimin si një hap drejt çlirimit të Krimesë nga pushtimi rus.
Kievi ka mirëpritur miratimin e rezolutës së asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Krime. Serbia votoi kundër rezolutës. Mediat serbe raportojnë se në bazë të kësaj rezolute Rusia duhet të përmbushë 12 rekomandime në mënyrë që ti japë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut në Krime.
70 vende votuan pro, 26 kundër ndërsa 76 të tjera abstenuan. Mes atyre që mbështetën rezolutën ishin kryesisht vende europiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rusia, Serbia, Kina, India, Biellorusia, Kuba, Irani dhe vende të tjerë votuan kundër. Ndërsa pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut, dhe Amerikës Latine abstenuan.
Kievi këmbëngul se mbështetja e rradhës për qëndrimin e Ukrainës ndaj Krimesë do të thotë se kjo çështje është ende e hapur dhe komuniteti ndërkombëtar sapo i ka dërguar një sinjal të qartë Moskës.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ukrainase thuhej se Kievi po monitoron me kujdes veprimet e pushtuesit në Krime. Pushtues që po kryen persekutime dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Në deklaratë bëhet thirrje që Moska të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe se hapi i rradhës duhet të jetë çlirimi i rajonit, pasi e miratimin e rezolutës është hedhur baza e duhur./abcnews.al