OKB: Mësimi në distancë “emergjencë katastrofike arsimore”

schedule13:41 - 4 Mars, 2021

schedule 13:41 - 4 Mars, 2021

UNICEF, Fondi i Fëmijëve i OKB-së, thotë se shkollat për më shumë se 168 milionë fëmijë janë mbyllur plotësisht prej pandemisë së koronavirusit, me vendet në Karaibe dhe Amerikën Latine ndër më të prekurat.

Miliona fëmijë po përballen me një “emergjencë katastrofike arsimore” pasi izolimet prej koronavirusit kanë mbyllur shkollat në të gjithë botën, tha të mërkurën (03.03) organizata kryesore e OKB-së për fëmijët. UNICEF tha se shkollat për më shumë se 168 milionë fëmijë në 14 vende janë mbyllur plotësisht për gati një vit të tërë për shkak të pandemisë.

Organizata paralajmëroi se 214 milionë fëmijë në mbarë botën – ose 1 në 7 – kanë humbur më shumë se tre të katërtat e mësimit të tyre në klasë që nga marsi i vitit 2020. “Ndërsa po i afrohemi një vjetorit të pandemisë COVID-19, ne përsëri kujtojmë emergjencën katastrofike të arsimit që kanë krijuar masat kufizuese në mbarë botën,” tha Drejtorja Ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore.

“Çdo ditë që kalon fëmijët me pamundësinë për të ndjekur fizikisht mësimin në klasë mbeten gjithnjë e më shumë prapa, kryesisht ata më të margjinalizuarit që paguajnë çmimin më të rëndë,” tha ajo. “Asnjë përpjekje nuk duhet kursyer për t’i mbajtur shkollat të hapura, ose për t’u dhënë përparësi atyre në planet e rihapjes.”

Izolimet goditën shkollat në Amerikën Latine, Karaibe

Të dhënat e OKB-së treguan se dy të tretat e vendeve më të prekura janë në Amerikën Latine dhe Karaibe, duke prekur gati 98 milionë nxënës. Panamaja i ka mbajtur shkollat të mbyllura për shumicën e ditëve, duke lënë jashtë klasave nxënësit për një total prej 211 ditësh, pasuar nga El Salvador, Bangladeshi, Bolivia dhe Brazili.Thirrja e UNICEF u përsërit nga organizata bamirësie angleze Save The Children, e cila ka përshkruar pandeminë dhe masat izoluese që pasuan si “emergjenca më e madhe e arsimit në histori”. James Cox, kreu i politikës arsimore në Save the Children, i tha DW-së, se ndikimet e mbylljes së shkollave “do të ndihen për një kohë të gjatë”.

Evropa gjithashtu në vështirësi me mbylljen e shkollave

Çështja ka shkaktuar shqetësime edhe në Evropë, me shumë studentë që kanë humbur kohën e domosdoshme të kontaktit me pedagogët e tyre. Nxënësit në Gjermani kanë filluar të kthehen në klasë, e po ashtu edhe nxënësit në Skoci dhe Uells janë kthyer në shkolla. Shkollat angleze do të rihapen javën e ardhshme, por Irlanda e Veriut mbetet nën një izolim të rreptë. Qeveria e re e Italisë ka urdhëruar më shumë mbyllje të shkollave, pasi të dhënat treguan se shumica e rasteve të koronavirusit ishin të variantit më ngjitës, atij britanik. Të gjitha shkollat në rajonet me rrezik më të lartë do të kalojnë në mësimin në distancë sipas rregullave të reja që do të hyjnë në fuqi nga e shtuna (07.03). Më parë, vetëm shkollat e mesme në të ashtuquajturat zona të kuqe ishin të mbyllura./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!