OKB: Më shumë se 700 milionë njerëz vuajnë nga uria

schedule15:54 - 15 Shtator, 2023

schedule 15:54 - 15 Shtator, 2023

Më shumë se 700 milionë njerëz nuk e dinë se kur ose nëse do të hanë përsëri pasi fondet humanitare po shterojnë, tha të enjten kreu i agjencisë së ushqimit të Kombeve të Bashkuara.

Drejtoresha ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) Cindy McCain i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se për shkak të mungesës së fondeve, agjencia është detyruar të shkurtojë racionet e ushqimit për miliona njerëz.

“Tani po jetojmë me një seri krizash që po ndodhin njëkohësisht dhe kanë efekte afatgjata që do të vazhdojnë të ndikojnë në nevojat globale humanitare”, tha ajo.

Pasojat ekonomike nga pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë shkaktuar rritje të çmimeve të ushqimeve, ndërsa çmimet e larta të plehrave kanë shkaktuar rënie të prodhimit të misrit, orizit, sojës dhe grurit, tha agjencia.

Kreu i WFP, e veja e senatorit të ndjerë amerikan John McCain, tha se agjencia vlerëson se gati 47 milionë njerëz në më shumë se 50 vende janë një hap larg urisë – dhe se 45 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç vuajnë nga kequshqyerja akute.

Sipas vlerësimeve, nga 79 vendet në të cilat operon organizata me bazë në Romë, deri në 783 milionë njerëz, një në 10 e popullsisë së botës, shkojnë në shtrat pa ushqim adekuat. Më shumë se 345 milionë njerëz përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore këtë vit, një rritje prej afro 200 milionë njerëzve që nga fillimi i vitit 2021 përpara pandemisë COVID-19, tha agjencia.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!