Kombet e Bashkuara po kërkojnë nga donatorët të japin më shumë se katër miliardë dollarë për të financuar operacionet humanitare në territoret palestineze, kryesisht në Gazën e shkatërruar nga lufta.
Në apelin e sotëm edhe Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave për hyrjen e ndihmave.
Agjencitë e OKB-së thonë se dërgimi i ndihmave në Gaza pengohet nga kufizimet izraelite dhe shkeljet e rendit dhe ligjit.
Izraeli pretendon se po lejon hyrjen e ndihmave të mjaftueshme dhe akuzon OKB-në se nuk e shpërndan atë brenda territorit palestinez.
Për Gazën, OKB-ja kërkon 3.6 miliardë dollarë për vitin e ardhshëm dhe rreth 450 milionë për palestinezët në territorin e pushtuar palestinez të Bregut Perëndimor.
Në ofensivën izraelite të nisur pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, pjesë të mëdha të territorit të rrethuar u shkatërruan dhe rreth 90 për qind e 2.3 milionë banorëve u zhvendosën.
Shumë prej tyre janë zhvendosur disa herë dhe jetojnë në kampe të mbipopulluara në tenda me pak ushqime dhe nevoja të tjera. Shumica e popullsisë mbështetet në ndihmën ndërkombëtare./abcnews.al