OKB dështoi ta frenonte sulmin e Rusisë: Pas luftës duhet një arkitekturë e re e sigurisë globale

schedule10:21 - 23 Prill, 2022

schedule 10:21 - 23 Prill, 2022

Nga Oleksii Reznikov “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Bota u tmerrua nga vrasja masive e civilëve të pafajshëm në Bucha. Ushtarët rusë shkelën të gjitha rregullat dhe ligjet ekzistuese të luftës, duke përdhunuar fëmijë dhe torturuar gra e burra, dhe duke i ekzekutuar më pas me gjakftohtësi.

Krime të ngjashme u kryen në Kharkiv, Mariupol, Chernihiv dhe në Kramatorsk, ku forcat ruse goditën me një raketë balistike Tochka-U një stacion hekurudhor të mbushur me 4.000 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. Një ndër viktimat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ka qenë edhe sistemi i rendit dhe sigurisë globale të pasluftës.

Rusia ka bërë gjithçka për të paralizuar institucionet ndërkombëtare të sigurisë. Si mundet Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në të cilin Moska ka një prani të përhershme, të përmbushë misionin e tij për të ruajtur paqen? Çfarë lloj sigurie dhe bashkëpunimi është i mundur në kontinent, kur një shtet pjesëmarrës i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë ka sulmuar një tjetër dhe ka vrarë mijëra civilë?

Këto organizata kanë dështuar. Ashtu si Lidhja e Kombeve përpara tyre, ato duhet të zëvendësohen nga një grup i ri dhe më efektiv i institucioneve ndërkombëtare, të afta për t’u shërbyer interesave të të gjitha vendeve, dhe jo vetëm atyre të fuqive të mëdha.

Arkitektura e këtij sistemi të ri duhet të bazohet në përvojën e hidhur të Ukrainës. Në vitin 1994 ne hoqëm dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë, duke shpresuar se firmat e udhëheqësve botërorë në një dokument do të nënkuptonin diçka.

Por në prillin e vitit 2008, Gjermania dhe Franca e bllokuan anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Dhe Kremlini e mori mesazhin. Në gusht të atij viti, Rusia pushtoi Gjeorgjinë dhe bota mbylli njërin sy. Në vitin 2014 Rusia sulmoi Ukrainën, dhe bota vendosi të mos ndërhynte.

Tani bombat ruse po rrafshojnë qytetet tona, dhe bota nuk ka mundur që ta ndalojë këtë gjë. E gjitha kjo që po ndodh mund të ishte parandaluar. Sikur Perëndimi të kishte vendosur që më parë sanksione parandaluese ndaj Rusisë, dhe t’i siguronte Kievit një numër të mjaftueshëm armësh mbrojtëse – kryesisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore – sot do të ishin ende gjallë dhjetëra mijëra ukrainas.

Përgjigja e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka qenë shumë e ngadaltë. Siç e ka thënë shpesh edhe presidenti ynë Volodymyr Zelensky, reagimi global ndaj një krize të këtij lloji duhet të jetë e menjëhershme, brenda 24 orëve, jo pas disa javësh apo muajsh.

Çdo agresor duhet të përballet me një ndëshkim të pakthyeshëm, nëpërmjet një mekanizmi të masave parandaluese, të cilat mund të miratohen në kohë paqeje dhe të hyjnë automatikisht në fuqi.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka krijuar thuajse 4 milionë refugjatë. Për më tepër, jemi në pragun e një krize ushqimore globale, që mund të destabilizojë Afrikën dhe Lindjen e Mesme. Derisa Rusia të ndalet kjo krizë vetëm sa do të përshkallëzohet, duke tërhequr në të edhe vendet fqinje dhe duke kontribuar në kolapsin e ekonomive ndërkombëtare.

Ne i dëgjojmë gjithmonë jehonat e së shkuarës në të tashmen. Mua nuk më kanë pëlqyer kurrë tradhtarët apo burracakët. Edhe kur isha fëmijë, që të dy llojet e njerëzve më mbushnin me neveri. Më në fund u pajtova me burracakët dhe nuk ndjeja më neveri për ekzistencën e tyre, por nuk kanë ndryshuar ndjenjat e mia për tradhtarët.

Ky është thelbi i asaj që jam, por edhe i shumë njerëzve rreth meje këto ditë. Nuk mund të shkelim betimin e dhënë. Nuk mund të largohemi kur vendi ka nevojë për ne. Nuk mund të tradhtojmë miqtë. Unë kam dhjetëra telefonata çdo ditë, duke komunikuar me miq dhe kolegë nga vende të ndryshme.

Unë dua ta besoj vërtetë se cilido prej tyre bart vlera, të cilat nuk do t’i tradhtojë në asnjë rrethanë. Nëse e konsideroni miqësinë një nga ato vlera, dhe nëse e konsideroni veten mik të Ukrainës, ju lutemi kuptojeni se nuk ka më kohë. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj dhe kemi nevojë për të tani.

Ne kemi nevojë kryesisht për armë të kalibrit të rëndë për të mbrojtur dhe çliruar territoret e pushtuara nga Rusia. E di që këto armë mund të dërgohen shpejt nga vende të ndryshme. Gjithçka që nevojitet është vetëm vullneti për ta bërë këtë.

Nëse na i jepni këto armë, do t’i tregoni botës se nuk keni frikë të përballeni me të keqen. Po ashtu kemi nevojë për një embargo totale globale ndaj naftës dhe gazit rus. Ne kemi nevojë për sanksione reale kundër sistemit bankar dhe tregtar të Rusisë.

Nëse na i jepni të gjitha këto, pushtuesit rusë do të ikin nga Ukraina pas disa muajsh. Nëse nuk e bëni këtë, lufta do të zgjasë dhe shteti terrorist i Federatës Ruse do të shkatërrojë reputacionin e liderëve globalë, dhe do të inkurajojë shtete të tjera diktatoriale që të testojnë forcën e tyre. Flakët e luftës mund të përhapen në vende të tjera në çdo moment, sepse Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë.

Një fitore e Ukrainës në këtë luftë, është i vetmi rezultat që do ta detyrojë Rusinë të ri-mendojë strategjinë e saj të agresionit. Ne mund ta arrijmë këtë fitore. Tashmë e kemi dëshmuar trimërinë tonë. Na duhen vetëm mjetet. Pasi të ketë mbaruar misioni, ne mund të fillojmë me procesin e rëndësishëm të rindërtimit të një arkitekture të re të sigurisë botërore, pa defektet strukturore të së kaluarës.

Shënim:Oleksii Reznikov, është Ministër i Mbrojtjes i Ukrainës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!