Ankandi për shitjen e aksioneve të Vllaznisë po shkon drejt fazës finale. Ditën e sotme subjektet që kanë bërë ofertat kanë marrë përgjigjet nga Njësia e Ankandit në Bashkinë Shkodër, në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar dhe ofertën e bërë.
Shkodra Sport shkruan se Bashkua Shkodër u ka dërguar email dy prej ofertuesve, konkretisht kompanisë “Joni 5 shpk” dhe Almiro Gurakuqit se kanë mangësi në dokumentacion dhe si rrjedhojë nuk kualifikohen për në fazën tjetër.
Vetë Gurakuqi, i cili kishte bërë edhe ofertën më të ulët, e ka pranuar diçka të tillë. Nga ana e “Joni 5 shpk”, me përfaqësues Emiljano Zhupa, ende nuk ka një qëndrim. Të dyja kompanitë kanë të drejtën të ankimohen brenda 7 ditëve.
Në këtë situatë është sponsori aktual, Alban Xhaferi, i cili është shumë pranë blerjes së aksioneve të Vllaznisë. Oferta e kompanisë që ai përfaqëson është 625 milion lekë të vjetra.
Pritet që Bashkia Shkodër të dalë me njoftim për fazën e fundit të ankandit, ku do të shpallet fituesi dhe njëkohësisht blerësi i 100 për qind të aksioneve të Vllaznisë. /abcnews.al