OFL rikthehet në Shijak, i dërgon formularin Astrit Avdylit

schedule14:40 - 26 Shkurt, 2020

schedule 14:40 - 26 Shkurt, 2020

OFL i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë Astrit Balliut alias Avdyli, Sulejmani dhe Astrit Kecit.

Brenda 48 orësh, si subjekt i Ligjit Special Anti-KÇK, ata duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme që ka 15 ditë kohë për të vendosur nëse kërkesën për sekuestro pasurish do e çojë për konfirmim në gjykatë, apo nëse do të kthejë pas OFL-në.

Por kush është Astrit Avdyli?

Koka e grupit të Shijakut, i arrestuar që prej 21 tetorit të vitit 2018 është emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

Është përfolur si njeriu me lidhje të forta politike dhe kriminale e herë pas here ka qenë kryefjala e debateve politike.

Astrit Avdyli, 45 vjeç, ishte në listën e top njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare në vitin 2013, pasi rezultonte si i dënuar me 12 vite burg për vrasje.

Astrit Avdyli njihet si i “Urti”, pasi në dallim nga të tjerët e grupit, Astriti i zgjidhte punët pa dhunë.

Grupi i Shijakut njihet si një grup i përbërë me njerëz të dhunshëm.

Babai i tre fëmijëve, u përfshi që në vitet ’90 në trafikun e drogës dhe kokainës. Me kalimin e viteve, ai u bë edhe më i fuqishëm, me lidhje të forta, që siç mësohet sot, shkojnë deri tek kupola e shtetit shqiptar.

Në vitin 1996 Astrit Avdyli u përfshi në vrasjen për hakmarrje  ndaj kushëririt të tij. Ngjarje e cila pasoi me të tjera zhvillime mes Avdylajve, spiralja e hakmarrjeve nuk u ndal me aq.

Emri i Astrit Avduylit do të dilte edhe në dosjen 339.

Gazeta prestigjioze gjermane BILD publikoi në qershor të 2019 disa përgjime, pjesë të dosjes hetimore zyrtare të prokurorisë së krimeve të rënda numër 339/1, lidhur me aktivitetin kriminal të organizatës së trafikut të narkotikëve, i njohur si “klani Avdylaj” në qytetin e Shijakut.

“Gjatë përgjimeve rezultonte se në muajt pararendës të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, klani kriminal i Avdylajve”, shkruante Bild,  “ishte përfshirë thellësisht në blerjen e votave dhe intimidimin e zgjedhësve në emër dhe bashkëpunim të plotë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialistë, përfshi kreun e bashkisë Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri“.

Në një nga përgjimet e fundit të BILD dëgjohej Astrit Avdylaj që telefononte  kreun e bashkisë Durrës Vangjush Dako teksa ndodhej tek Hipoteka së bashku me drejtorin atje, dhe Vath Allën, një ish të dënuar për vrasje, që do të përfundojë punën në emër të Allës.

Policia e Shtetit goditi familjen “Avdyli” në Shijak duke arrestuar tre vëllezërit, kushëririn e parë të tyre dhe mbi 20 anëtarë të bandës, që akuzoheshin për trafik heroinë në Shqipëri, dhe në Gjermani, ndërsa numëron dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës ‘Germany’.

Të arrestuar ishin vëllezërit; Astrit Avdyli, i cilësuar si “koka” e bandës, Flamur Avdyli, (që u lirua më vonë) dhe Shkëlqim Avdylin.

Ndërsa përpos tyre u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine dhe mbi 20 persona të tjerë.

Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre kompania ‘Orges Albania 2016’ dhe hoteli luksoz ‘Germany’ në Durrës.

Kush është Astrit Keçi? 

Astrit Keçi banues në Shijak, ishte i dënuar nga Gjykata e Pisas, në Itali, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Si anëtar i bandës ”Keçi”, ai u arrestua në 2018 bashkë me Shkëlqim Sufjen pasi ishte prej 20 vitesh në kërkim.

Deri në vitin 2006 jetonte në Itali, më pas fshihej në Shqipëri, për t’i shpëtuar autoriteteve italiane.

Keçi dhe Sufja ishin në krye të grupit “Keçi” që operonte në Shijak, dhe ishin konsideruar si një nga organizatat kryesore të trafikut të drogës.

Astrit Keçi është i afërm i Durim Keçit, i ashtuquajturi “i forti i Shijakut”.

Më pas në 2019 për shkak se dënimin e kishte nga Gjykata e Pisas, Shqipëria vendosi ekstradimin e tij drejt Italisë./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!