Në më pak se një muaj nga prezantimi i kryeministrit Edi Rama, në 15 gjimnaze të Tiranës ka nisur të zbatohet projekti, oficerët e sigurisë në shkolla. Një iniciativë kjo e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me atë të Brendshme për të ndaluar që konfliktet mes nxënësve të përfundojnë në ngjarje tragjike.
Nuk mbajnë uniformë e as nuk janë të pajisur me armë ndonëse kanë për detyrë të garantojnë rend dhe siguri në shkolla. Juela Tufa ka mbaruar Akademinë e Rendit dhe prej një jave është emëruar oficere sigurie në gjimanzin “Eqerem Çabej” në Tiranë. Menaxhimi i një konflikti mes dy nxenesish ishte rasti i parë që ka zgjidhur.
“Ka qenë një konflikt midis dy nxënësve që normalisht do të merrte trajta më të rënda nëse nuk do të trajtohej”.
“Ka pasur probleme, të cilat janë zgjidhur me pssikologun dhe mësuesin kujdesta, por roli i oficerit të sigurisë ka qenë prezent”.
“Eqerem Çabej” është një ndër 15 gjimnazet e kryeqytetit, ku po zbatohet ky projekt. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pasi diskutoi me mësuesit dhe nxënësit se si po shkon kjo nismë deklaroi se oficeri i sigurisë nuk dublon psikologun, por bashkëpunon me të për të zgjidhur situatat.
Lindita Nikolla: “Sigurisht, psikologët menaxhojnë të gjitha zgjedhjet psiko-sociale të nxënësve edhe në rastet kur ka dhunë. Nga ana tjetër, oficerët e sigurisë ofrojnë mjedise që nxënësit të ndjehen shumë më të qetë qoftë edhe psikologjikisht”.
Oficeri i sigurisë në shkolla është njëprojek pilot i ndërmarrë nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me atë të Brendshme për të menaxhuar konfliktet mes nxënësve, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe në ngjarje tragjike. Nëse funksionon në shkollat e Tiranës do të shtrihet në shkollat e të gjithë vendit./abcnews.al