Në kuadër të rritjes së sigurisë në institucionet arsimore, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se në shkollat publike janë vendosur oficerë sigurie të trajnuar posaçërisht për të mbrojtur nxënësit nga dhuna dhe rreziqet që vijnë nga interneti.
Ky hap është pjesë e një bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit dhe strukturave të tjera të rendit, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të mbrojtur për fëmijët në shkolla.
Oficerët e sigurisë do të asistohen nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, të cilat do të angazhohen në monitorimin dhe parandalimin e incidenteve brenda dhe përreth perimetrit të shkollave.
“Në shkollat publike janë vendosur oficerë sigurie të cilët do të garantojnë mbrojtjen e nxënësve nga çdo fenomen negativ i lidhur me dhunën apo rreziqet online.
Falë edhe bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit, janë zhvilluar trajnime specifike për oficerët e sigurisë për të garantuar sigurinë e nxënësve në shkollat publike, ku suport do të jetë edhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake të cilët bëjnë monitorimin e tyre në hapësirat brenda perimetrit të shkollave, duke bërë jo vetëm monitorim por dhe parandalimin e incidenteve të ndryshme”, ka shkruar Rama.
/abcnews.al

