Ofertë në limite, vendoset e ardhmja e David Domgjonit

schedule12:57 - 1 Shkurt, 2021

schedule 12:57 - 1 Shkurt, 2021

Menemenspor gjatë muajve të fundit është përfshirë nga kriza financiare dhe i është dashur të heqë dorë nga disa futbollistë kryesorë të skuadrës për të grumbulluara të ardhura, por edhe shmangur pagat e tyre me qëllim balancimin financiar.

 

Në listën e largimeve mund të ishte edhe David Domgjoni, por në momentin e fundit nga lojtari mësojmë se është anuluar gjithçka. Balikesirspor nga po e njëjta ligë ishte e interesuar për 23-vjeçarin nga Prizreni.

Mediet turke njoftuan se ata kanë ofruar rreth 250 mijë lira turke (30 mijë euro) për Domgjonin, kontrata e të cilit me Menemenspor përfundon në fund të sezonit. Abcnews.al u interesua dhe pyeti lojtarin në lidhje me këto tratativa.

 

Domgjoni tregon se është e vërtetë se ka pasur ofertë nga Balikesirspor, por Menemenspor nuk e ka pranuar propozimin për të dhe është mbyllur si çështje. Merkato në Turqi përfundoi mesnatën e kaluar.

“Kam pasur ofertë nga Balikesirspor, por nuk ka qenë shifra e kërkuar nga klubi im (Menemenspor). Tani është mbyllur si çështje dhe do të jem te Menemenspor deri në maj”, u shpreh Domgjoni për abcnews.al.

 

Mbrojtësi la Laçin në dimrin e kaluar për 50 mijë euro dhe që në fillimet e tij në Turqi u shndërrua në lojtar kryesor për skuadrën dhe luan vazhdimisht për klubin e Ligës së Parë.

Domgjoni ka treguar aftësi të mira edhe në ofensivë këtë sezon, teksa numëron 2 asiste dhe 1 gol në 16 paraqitje. Me Menemenspor këtë muaj u përshëndet edhe portieri Gentian Selmani, i cili u largua me parametra zero dhe firmosi me Boluspor për tre vite. /Denis Lala-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!