Dani Olmo është ylli i Dinamo Zagreb dhe një nga surprizat e bukura të këtij sezoni në Champions League. Ekipi kroat nuk ia doli për pak të kualifikohej në raundin e 1/8 në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, aty ku 21-vjeçari shënoi 1 gol dhe dhuroi 2 asiste në ndeshjen e grupeve.
Interesimi për talentin spanjoll është i madh dhe largimi nga gjiganti kroat është i paevitueshëm. Vetë mefushori ofensiv e pranon në një deklaratë për Jugones, teksa e ardhmja mund të vijojë në Serie A. Dinamo Zagreb kërkon 40 milionë euro për kartonin e Olmo, i cili pëlqehet shumë nga Juventus, Milan dhe Napoli.
“Vera e kaluar ishte momenti i duhur për t’u larguar nga Kroacia, por gjërat nuk u konkretizuan në momentet e fundit dhe unë isha i lumtur që do të luaja në Champions League. Gjithsesi, tani mendoj se cikli im te Dinamo është mbyllur dhe dua të hedh hapin e radhës për t’u përmirësuar edhe më shumë“,thekson Dani Olmo. /abcnews.al

