Atalanta është një realitet i bukur prej disa vitesh në Serie A. Ekipi bergamask zhvillon një futboll spektakolar, po arrin rezultate pozitive dhe ka një ofensivë vdekjeprurëse. Zikaltrit renditen në vend të tretë me 20 pikë, tre më pak se Juventusi dhe dy larg Interit.
Ekipi i Gasperinit është sulmi më i mirë në kampionat për momentin. 28 gola të shënuar në 9 ndeshje është një shifër fantastike. Vetëm Manchester City (32) dhe Ajaksi (35) kanë shënuar më shumë, por “Cityzens” kanë zhvilluar një ndeshje më shumë e “Harkëtarët” dy më shumë.
Për t’u kthyer në Serie A, vetëm Milani i Fabio Capellos ka shënuar më shumë në 9 ndeshjet e para. Ishte sezoni 1992/1993 dhe Van Basten me shokë shënonin 29 gola në 9 ndeshjet e para. Dy sezone më pas u fut rregulli i tre pikëve për fitore dhe nga ai moment, askush nuk ka shënuar më shumë në 9 ndeshjet e para se Gjimshiti me shokë. /abcnews.al