Ukraina konfirmoi të mërkurën se kishte përdorur armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara për të sulmuar urat ruse mbi lumin Seym në Kursk. Të hënën, një hetues ushtarak rus tha se Ukraina kishte shkatërruar plotësisht një nga tre urat në Seym, duke dëmtuar dy të tjerat. Por SHBA nuk ka komentuar zyrtarisht nëse janë përdorur armët e saj.
Megjithatë, një zëdhënës i Kremlinit akuzoi më parë Kievin për përdorimin e armëve të ndërtuara në Perëndim në inkursionin e tij të fundit në rajonin e Kurskut, shkruan Al Jazeera
“Për herë të parë, rajoni i Kursk u godit nga raketahedhës të prodhimit perëndimor, ndoshta amerikanë HIMARS [Sistemi i raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë]”, tha Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, më 16 gusht në Telegram.
Por cilat armë po përdor Ukraina në inkursionin e saj në Rusi?
Ukraina konfirmoi të mërkurën se kishte përdorur HIMARS (Sistemi i raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë) të furnizuar nga SHBA gjatë sulmeve të saj mbi urat në Rusi.
Mediat në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë Sky News dhe BBC, publikuan spekulime më 15 gusht se Ukraina kishte përdorur tanke britanike Challenger 2 në territorin rus.
Ministria e Mbrojtjes në Londër nuk pranoi të komentojë se cilat armë specifike po përdor Ukraina, raportuan të dyja mediat.
Besohet gjithashtu se armët e furnizuara nga gjermanët janë përdorur në inkursionin e Kursk, shkruan më tej Al Jazeera. Gjermania është një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në Ukrainë – e dyta vetëm pas SHBA-së.
Ajo furnizon Kievin me automjete luftarake të këmbësorisë Marder, tanke luftarake Leopard, sisteme të mbrojtjes ajrore, drone dhe sisteme lëshimi raketash.
Cilat vende të NATO-s e kanë lejuar Ukrainën të përdorë armët e tyre brenda Rusisë?
Më 31 maj, presidenti i SHBA-së, Joe Biden “lehtësoi” ndalimin e përdorimit të armëve amerikane në Ukrainë brenda territorit rus, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken në një konferencë shtypi gjatë një takimi jozyrtar të NATO-s në Pragë.
Kjo shënoi një ndryshim në politikën e Biden, i cili më parë kishte refuzuar të lejonte përdorimin e armëve të furnizuara nga SHBA nga Ukraina në Rusi.
Këto vende përfshijnë: Francën, Britaninë e Madhe, Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë, Holandën, Suedinë, Republikën Çeke, Finlandën, Danimarkën, Norvegjinë dhe Kanadanë.