Odise Roshi në sezonin më të mirë, shifrat flasin për të

schedule09:18 - 4 Korrik, 2020

schedule 09:18 - 4 Korrik, 2020

Kaq shumë në një vit sportiv nuk i kishte shënuar as në Shqipëri. Odise Roshi po jeton sezonin më të mirë të karrierës së tij si futbollist  dhe u desh të mbërrinte moshën 29-vjeçare që të realizonte pjekurinë e vërtetë.

I mbiquajturi “raketa” që kur ishte adoleshent, më në fund po shkëlqen në Premier Ligën e Rusisë, duke shënuar 7 gola në këtë edicion. Roshi është lojtari më i mirë i skuadrës së tij, Akhmat Grozny, dhe me golat e me lojën e tij është kthyer në faktorin kryesor që jep shpresë për mbijetesë.

Ai realizoi dy herë në ndeshjen e fundit ndaj Arsenalit Tula, fituar nga çeçenët me rezultatin 3-1. Pas kësaj paraqitjeje ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, dhe u zgjodh në formacionin e javës në Premier Ligën ruse, i vetmi futbollist i Akhmat që ia doli.

Shqiptari shprehet se golat e tij kanë ardhur si pasojë edhe e përmirësimit të tij, por edhe për shkak se skuadra e drejtuar nga trajneri Igor Shalimov, ish-lojtar i Rusisë dhe i Interit të Milanos, po luan më mirë se më parë.

Pas përpjekjeve të shumta në Superligë me Flamurtarin, në Gjermani me Koln e FSV Frankfurt, e pastaj në Kroaci me Rijekën, sot ai ndihet i plotësuar si profesionist me Akhmat Grozni. Kohët e fundit është kthyer në një lojtar vendimtar edhe për kombëtaren e Shqipërisë, ku ka dhënë kontribut të madh duke shënuar 5 gola në 57 ndeshje, si dhe duke shërbyer asiste për shokët e skuadrës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!