Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i marrë “menjëherë parasysh thirrjet nga SHBA-ja dhe BE-ja për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, në mënyrë që të tërhiqen investitorët dhe të mbështetet rritja e qëndrueshme ekonomike.
“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm”, thuhet në deklaratën e Odës Ekonomike Amerikane, të publikuar më 8 qershor, shkruan REL.
Në veri të Kosovës, protestat që po vazhdojnë ende kanë shpërthyer qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ka ndihmuar kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. Zgjedhjet e 23 prillit prej të cilave kanë dalë këta kryetarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Për tensionet në veri, përkatësisht mospërfilljen e këshillave të SHBA-së në lidhje me hapat e nevojshëm atje, Kosova është përjashtuar tashmë nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja në Evropë.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka tërhequr policinë e as kryetarët shqiptarë nga zona veriore e vendit, e banuar me shumicë serbe.