OBSH ngre alarmin: Rusia ka sulmuar mbi 700 objekte shëndetësore në Ukrainë, i ftohti mund të vrasë

schedule16:40 - 21 Nëntor, 2022

schedule 16:40 - 21 Nëntor, 2022

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë me dije se ka dokumentuar 703 sulme në infrastrukturën shëndetësore që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Në një fjalim në Kiev, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se sulme të tilla janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe rregullave të luftës.

Ai shtoi se për shkak të sulmeve në infrastrukturën shëndetësore dhe energjetike, qindra spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor nuk janë më plotësisht funksionalë, me mungesë të karburantit, ujit dhe energjisë elektrike për të plotësuar nevojat bazë, transmeton abcnews.al.

“Repartet e maternitetit kanë nevojë për inkubatorë. Bankat e gjakut kanë nevojë për frigoriferë. Shtretërit e kujdesit intensiv kanë nevojë për ventilatorë. Dhe të gjitha kërkojnë energji”, tha ai.

Ai shtoi se qëllimi i udhëtimit të tij është të përqendrojë vëmendjen e botës në situatën, të takohet me zyrtarë përkatës dhe të falënderojë mjekët, infermierët dhe punonjësit e shëndetësisë të Ukrainës.

Kluge tha se 10 milionë njerëz në Ukrainë, një e katërta e popullsisë, janë pa energji elektrike, një situatë që ishte veçanërisht e rrezikshme me temperaturat që priten të bien në -20C.

“Moti i ftohtë mund të vrasë”, komenton ai, duke shtuar se familjet e dëshpëruara po detyrohen t’i drejtohen metodave alternative të ngrohjes, si djegia e qymyrit ose drurit ose përdorimi i gjeneratorëve me naftë ose ngrohje elektrike, të cilat mund të sjellin rreziqe për shëndetin.

Ai tha se pret që dy deri në tre milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të ngrohtësisë dhe sigurisë, duke shtuar se ata që e bëjnë këtë do të përballen me sfida unike shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes si Covid, pneumoni dhe grip. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!