OBSH në alarm: Rritet numri i përdoruesve të alkoolit dhe cigareve elektronike tek moshat 11-15 vjeç

schedule09:56 - 25 Prill, 2024

schedule 09:56 - 25 Prill, 2024

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, që rekomandon masa të shëndetit publik për të kufizuar aksesin në pije alkoolike, shkalla e përdorimit të alkoolit dhe cigareve elektronike në mesin e 11 deri në 15 vjeç është “alarmante”.

“Përdorimi i gjerë i substancave të dëmshme nga fëmijët në shumë vende të rajonit europian dhe më gjerë është një kërcënim serioz për shëndetin publik”, tha Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën Hans Kluge.

Ai bëri thirrje për rritjen e taksave, kufizime në pikat e shitjes dhe reklamat, si dhe ndalimin e aromatizuesve në cigaret elektronike.

Pas viteve të përdorimit në rënie të substancave psikoaktive, “disa prova sugjerojnë se pandemia e Covid-19 ka çuar në një rritje të re të përdorimit”, zbulon raporti, i cili mblodhi të dhëna nga 280,000 të rinj në Europë, Azinë Qendrore dhe Kanada.

Bllokimet kanë ndryshuar zakonet e 11-15-vjeçarëve. Megjithatë, lajmi i mirë është se pirja e duhanit është në rënie: 13% e 11-15-vjeçarëve pinin duhan në vitin 2022,  2% më pak se katër vjet më parë.

Megjithatë, shumë prej tyre janë kthyer drejt cigareve elektronike. Rreth 32% e 15-vjeçarëve kanë pirë tashmë një cigare elektronike dhe 20% në 30 ditët e fundit.

Alkooli është substanca që konsumohet më shpesh nga adoleshentët, ku 57% e 15-vjeçarëve kanë pirë të paktën një herë dhe gati katër në dhjetë kanë konsumuar alkool në 30 ditë.

Përveç kësaj, një adoleshent në 10 (9%) ka qenë i dehur të paktën një herë. Rreth 5% janë dehur të paktën njëherë deri në moshën 13-vjeçare, ashtu si edhe 20% e 15-vjeçarëve.

Një tjetër faktor shqetësues është se vajzat pinë shumë më tepër se më parë. 40% e vajzave 15-vjeçare thanë se kishin konsumuar alkool në 30 ditët e fundit, krahasuar me 38% katër vjet më parë, ndërsa tendenca është e kundërta për djemtë.

Konsumi i kanabisit gjithashtu ka shënuar rënie: përqindja e 15-vjeçarëve që e kishin provuar tashmë ra më 4% në katër vjet.

/abcnews.al