Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se është duke “këshilluar qeveritë” që të inkurajojnë qytetarët për të vendosur maska në ambjente publike për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Kjo organizatë pati deklaruar se nuk ka mjaftueshëm të dhëna për të mbështetur përdorimin e maskave nga njerëzit e shëndetshëm në ambjente publike dhe se vetëm ata që janë të sëmurë duhet të pajisen me to.
“Ne kemi të dhëna tani që nëse kjo gjë bëhet në mënyrën e duhur, mund të pengojë spërklat kur ne flasim me dikë”, deklaroi mjekja Maria van Kerkhove.
“Dhe po e specifikojmë, maskë të fabrikuar, që nuk është për përdorim mjekësor”.
OBSH-ja ka theksuar se përdorimi i maskave është vetëm një prej gjërave që mund të përdoren për të ulur rrezikun e infeksionit.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 6.7 milionë persona në gjithë botën janë infektuar me koronavirusin e ri.
Prej tyre, mbi 390,000 kanë vdekur./abcnews.al