Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë një kërkesë urgjente për Ukrainën që të shkatërrojë patogjenët me rrezik të lartë në laboratorët shëndetësorë të vendit, ndërsa vendi është nën agresionin ushtarak rus.
Kërkesa nga OBSH, vjen si nevojë emergjente për të shmangur “rrjedhjet e mundshme” që do të përhapnin sëmundje në popullatën vendase dhe më gjerë nëpër botë,
“OBSH ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë në Ukrainë dhe organet e tjera kompetente duke u kërkuar që të shkatërrojnë patogjenët me rrezik të lartë për të parandaluar rrjedhjet e mundshme”, i tha një zyrtar i OBSH-së, agjencisë së lajmeve Reuters.
Pushtimi rus i Ukrainës, me lëvizjet e trupave dhe bombardimet e qyteteve, rriti rrezikun e lëshimit të patogjenëve dhe dëmtimit të ndërtesave nga lufta, duke rrezikuar shumë që viruset të përhapen.
Ekspertët e biosigurisë thonë se lëvizja e trupave ruse në Ukrainë dhe bombardimet e qyteteve të saj kanë rritur rrezikun e daljes së patogjenëve që shkaktojnë sëmundje, nëse dëmtohet ndonjë prej këtyre objekteve laboratorike. OBSH thotë se ka punuar me laboratorët ukrainas prej vitesh për të promovuar praktikat e sigurisë që ndihmojnë në parandalimin e “lëshimit aksidental ose të qëllimshëm të patogjenëve”.
Megjithatë, OBSH shton se situata është e tillë që e detyron të bëjë kërkesën urgjente. OBSH nuk tha se çfarë patogjenësh ndodhen në laboratorët ukrainas. Nga ana tjetër, qeveria në Ukrainë nuk ka dhënë informacion nëse është duke zbatuar këshillën e OBSH. /abcnews.al