Objektivi i ri i trajnerit Edi Reja për kombëtaren shqiptare

schedule23:02 - 10 Qershor, 2019

schedule 23:02 - 10 Qershor, 2019

Kombëtarja duhet të luajë mirë dhe të fitojë ndaj Moldavisë. Trajneri Reja vendos objektivin për ndeshjen e Evropianit, ndërsa deklaron se do të bëjë 3-4 ndryshime në formacion.

Nuk u kënaqëm me rezultatin, por nuk mbetëm pa shpresë. Kështu menduan tifozët, dhe duket se kështu mendon edhe trajneri i kombëtares, Edi Reja, pas ndeshjes së humbur minimalisht në Islandë. Italiani doli në konferencë për shtyp, përpara ndeshjes ndaj Moldavisë, këtë të martë për eliminatoret e Evropianit, me ide të qartë.

Ne kemi nevojë edhe të luajmë mirë, por edhe që ta fitojmë ndeshjen. Ky është objektivi, sepse nëse do t’ia dalim për t’u paraqitur mirë dhe për të fituar, atëherë aspekti moral do të ishte i jashtëzakonshëm. Ne po punojmë mirë, por lojtarët kanë nevojë të marrin shpërblim për punën që bëjnë. Ndaj kur ia del mbanë, fitoret të ndihmojnë shumë“.

Gjithsesi, pati kritika për skemën 3-5-2, sidomos për golin e pësuar.

“Nuk pashë probleme në mbrojtje apo mesfushë. Problem pasimi i fundit, kur duhej të vinim lojtarin për të konkluduar, aty patëm disi vështirësi. Jemi në rritje në lojën tonë, në ritmin e aksioneve dhe në fazën ofensive, dhe në lëvizje. Na mungoi finalizimi, por gjithsesi e vumë në vështirësi Islandën, që krijoi vetëm një rast në portën tonë. Tani, gjithsesi, duhet të jemi më konkretë”.

Cili do të jetë formacioni i Rejës për sfidën në “Elbasan Arena”?

“Ka kaluar pak kohë që kur mbërritëm, dhe është shpejt për të vendosur për formacionin. Duhet të shoh se cilët janë të lodhur, dhe pastaj do të flas me lojtarët. Ata që u impenjuan shumë në Islandë, edhe mund të pushojnë, por ekipi është i plotë, dhe për çdo pozicion ka dy lojtarë. Kush do të luajë, do të jetë në 100 për qind. Mund të ndryshojnë 3-4 lojtarë, ndoshta. Në mbrojtje ka pak nevojë për ndryshim, në mesfushë duhet të lë ndonjë pushim, dhe dua të bëj ndryshime edhe në sulm, pasi lojtarët punuan shumë. Kam në dispozicion Sadikun, po ashtu Uzunin”.

Si e konsideron Reja ndeshjen me Moldavinë, ndoshta të kalueshme?

“Të gjithë rivalët janë të rrezikshëm, nuk ka skuadra të lehta. Kurrë nuk mund të jemi të bindur se jemi superiorë. Superioritetin duhet ta tregojmë në fushë, ku duhet zemër e madhe dhe përqendrim i madh, motivim i madh. Të vazhdojmë punën që kemi bërë, që e treguam edhe në Islandë, ku patëm personalitet të madh, ku e sulmuam rivalin, i bëmë presion, të njëjtën gjë do të kërkoj edhe këtë herë”.

Turqia mundi Francën dhe tregoi se e pamundura mund të bëhet e mundur.

“Unë shoh shtëpinë, time, jo Turqinë apo Francën. Unë kam detyrë që ta rris këtë skuadër. Erdha sepse kishte probleme që duhen zgjidhur, ndryshe përse do të vija unë. Është e qartë se problemet nuk mund t’i zgjidh në një javë apo në 15 ditë. Duhet të përmirësohemi dhe ju e patë që nga ndeshja në Islandë që ka përmirësim, për këtë duhet të biem dakord, apo jo?”

Shqipëria ka tri pikë pas tri ndeshjeve të para, po aq sa edhe Moldavia./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!