Një sulmues dhe një qendërmbrojtës, Milani ka dy objektiva në merkaton e janarit dhe drejtuesit janë fokusuar në këtë aspekt. Gara për titullin kampion kërkon përforcime dhe te Milani e dinë mirë një gjë të tillë.
Emri që pëlqehet për repartin ofensiv është Luka Jovic, në fakt një dëshirë e kahershme e kuqezinjve. Negociatat kanë rinisur dhe dyshja Maldini-Massara do të takohen me Fali Ramadanin, agjentin shqiptar të sulmuesit të Real Madrid.
Sportmediaset raporton se kampionët e Spanjës janë dakord të huazojnë lojtarin serb në Serie A deri në fund të sezonit. Një huazim i pastër pa të drejtë apo detyrim blerje, teksa në takimin me menaxherin Ramadani do të diskutohet për rrogën e 23-vjeçarit.
Reali pagoi 63 milion euro tek Eintracht Frankfurt për Jovic, por ky i fundit nuk ka treguar asgjë nga potenciali i tij dhe në Madrid shpresojnë që aventura me Milanin do e rikthejë në formën e tij më të mirë.
Në Milanello do të gjentë Ante Rebic, me të cilin formoi një dyshe spektakolare në Bundesligë. Një alternative shumë e mirë për Zlatan Ibrahimovic dhe te Milani ka optimizëm se do të arrihet shpejt akordi i kalimit të Jovic nën urdhrat e Piolit. /abcnews.al