Shumë nxënës nëpër rrethe ende nuk kanë filluar mësimin. Mbyllja e disa shkollave me pak nxënës apo të klasave kolektive ka bërë që ata të zhvendosen larg vendbanimeve. Por kjo është kundërshtuar nga prindërit dhe vetë nxënësit.
Fëmijët e Borakajve në Durrës nuk kanë shkuar akoma në shkollë. Janë 150 nxënës dhe shkolla e tyre “Adem Sabli” nuk ka kushte.
Për këtë arsye u mor vendimi që ata të bëjnë mësim në shkollën e Maminasit.
Ky vendim u kundërshtua nga prindërit që nuk lejojnë fëmijët e tyre dhe për pasojë mësimi është bojkotuar.
Ata thonë se nuk kanë mundësi për një transport të tillë dhe kanë frikën e aksidenteve.
“Ne kërkojmë shkollën patjetër. Nxënësit nuk do të shkojnë në asnjë shkollë”, tha një prind.
“Ne nuk duam që të shkojnë në Maminas sepse aty kanë ndodhur dy herë aksidente”, u shpreh një tjetër.
“Shteti të japë lekun dhe një zgjidhje sepse nuk i çojmë në Maminas”.
Edhe në Peshkopi, nxënësit e fshatit Rabdisht nuk janë në mësim. Mbyllja e shkollës së tyre i zhvendos ata 5 kilometra larg në fshatin Bellovë. Por prindër, mësues dhe nxënës kundërshtojnë vendimin. Ata thonë se jo vetëm që është larg, por është një godinë pa kushte.
“Mungojnë elementaret. Nuk ka tualete për nxënësit, nuk ka ujë për të pirë, drita, llamba, apo një çelës”.
“Rruga është shumë e keqe. Ka edhe probleme të tjera se s’ka ujë, apo gjëra të tjera. Më mirë të vijnë mësuesit këtu edhe të fillojë shkolla”.
Në mbështetje të tyre ishte edhe deputeti i zonës, Xhemal Gjunkshi. Ai akuzoi bashkinë për abuzime me fondet kurse situata për fëmijët është shumë e rëndë./abcnews.al