E gjithë Italia është përfshirë nga zjarret prej disa javësh. Disa nga rajonet qendrore dhe jugore kanë humbur dhjetëra-mijëra hektarë pyje. Në Sardenjë botanistët janë të alarmuar për shkatërrimin e biodiversitetit lokal si dhe për numrin e ullishtave që janë shkatërruar. Në Sicili zjarret arritën qytetin e Katanjës dhe rreth 150 vetë u desh të evakuohen nga deti. Edhe aeroporti i qytetit u mbyll për disa orë.
Arsyeja pse Italia po përballet me zjarre të shumta e ka burimin tek një kombinim i përgjegjësive politike, burokracisë për mbrojtjen e pyjeve dhe veprimeve kriminale dhe mafioze. Sipas Coldiretti, shoqatës më të madhe të fermerëve në Itali, të paktën 60% e zjarreve në Itali janë vënë me qëllim.
Mungesa në rezervat e ujit
Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe mungesa në rezervat e ujit. Sipas autoriteteve lokale rezervuarët në Sicili kanë rreth 78 milionë metra kub më pak ujë se vitin e kaluar, niveli më i ulët këtë dekadë. Për këtë arsye në janar 2021, qeveria siciliane ndau 20 milionë euro për fermerët për të përmirësuar kapacitetet e rezervuarëve të ujit.
47 ushtarakë holandezë vijnë këtë javë në Shqipëri
Mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile është një rrjet autoritetesh të mbrojtjes civile në vendet anëtare që mund t’i dërgojnë njëri-tjetrit helikopterë apo aeroplanë zjarrfikës. Komisioni Europian koordinon ofertat vullnetare të shteteve pjesëmarrëse në këtë rrjet.
Në një mesazh në median sociale të ambasadës holandeze në Tiranë theksohet që “helikopterët janë të tipit Chinook dhe janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve. Bashkë me helikopterët do të vijnë edhe 47 ushtarakë holandezë për të filluar këtë javë operacionet”.
Përfshirja e Shqipërisë nga veriu në jug në zjarre nxorri në dritë mungesën e mjeteve për t’i shuar ato brenda nje kohe sa më të shkurtër. Autoritetet përkatëse nisën të mëkurën një auditim të tenderave për të blerë mjete dhe pajisje për të gjitha institucionet që kanë lidhje me emergjencat sociale.
Autoritetet shëndetësore greke njoftuan se në Athinë janë regjistruar nivele deri në 465 mikrogram pjesëzash pluhuri të imët karboni për metër kub. Për krahasim kufiri që ka vendosur BE -ja është 50 mikrogramë për metër kub ajër.
Zjarret pushtojnë një termocentral në Turqi
Në bregdetin e Egjeut në Turqi u përfshi nga zjarret termocentrali Kermekoy në qytetin Milas. Para evakuimit punëtorët arritën të zbraznin rezervuarët ftohës të mbushur me hidrogjen. Për prodhimin e energjisë elektrike termocentrali përdor qymyr dhe naftë.
Javën e kaluar Ankaraja u detyrua të pranonte se numri i avionëve dhe i helikopterëve për të luftuar në mënyrë efektive flakët është i pamjaftueshëm. Megjithatë Presidenti Erdogan refuzoi ofertën e Greqisë dhe të Izraelit për të dërguar avionë dhe helikopterë. Ndërkohë BE-ja dërgoi tre avionë për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve në Turqi.
Zjarret që po vazhdojnë prej më shumë se një jave kanë shkaktuar në Turqi tetë viktima dhe kanë shkatërruar zona të mëdha pyjore përgjatë brigjeve të Detit Egje dhe Detit Mesdhe. Mijëra qytetarë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre./DW