Ditët e nxehta ndoshta mund të bëhen pak më të lehta me përshkrimin e duhur. Të paktën kështu mendojnë në Japoni, ku kanë menduar një emër për ditët që arrijnë në 40 gradë Celsius, pasi vendi përjetoi verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë vitin e kaluar.
Termi – kokushobi – është përkthyer si ditë “mizorisht e nxehtë”, “brutalisht e nxehtë” ose “jashtëzakonisht e nxehtë” nga mediat japoneze dhe ndërkombëtare.
Përshkrimi, i prezantuar nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë, përdor fjalën japoneze koku – që do të thotë i ashpër ose mizor – për të përshkruar nxehtësinë.
Emri doli si më i pëlqyeri në një anketë kombëtare online, me “ditë super jashtëzakonisht të nxehtë” në vendin e dytë.
Ngjarjet ekstreme të motit si valët e nxehtësisë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe më intensive në të gjithë botën, të nxitura nga aktivitetet njerëzore si djegia e lëndëve djegëse fosile.
Japonia tashmë ka terma për ditët mbi 25C, 30C dhe 35C. Fjala e re për mot edhe më të nxehtë vjen pasi nxehtësia rekord goditi Japoninë vitin e kaluar.
Vera e vitit 2025 ishte më e nxehta që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1898, me temperatura në të gjithë vendin 2.36C mbi mesataren.
Këtë verë, Agjencia Meteorologjike parashikon një probabilitet të lartë të temperaturave mbi normalen në Japoni nga qershori deri në gusht.


