Analisti Artur Nura ka deklaruar se Sali Berisha po përpiqet të fitojë “bastin” e tij me statusin non grata përmes strategjisë “Make Albania Great Again”, por pa ofruar risi politike. Sipas Nurës, ndërsa Rama ka Europën si objektiv politik, Berisha mbetet i fokusuar te përplasja personale dhe akuzat e përsëritura ndaj kundërshtarëve. Ai theksoi se nga opozita nuk priten zhvillime të reja, por vetëm vijim i të njëjtave qëndrime dhe retorikë.
“Berisha kërkon që, me strategjinë “Make Albania Great Again”, të fitojë bastin e tij me “non grata”, dhe këtë po e bën me politika dhe me lekë, por pa e realizuar dot.
Rama ka Europën si bastin e tij, ndërsa Berisha ka “non gratën” si bastin e vet.
Nga opozita nuk ka asgjë të re, sepse po të jesh me të njëjtët politikanë, nuk ke asgjë të re. Berisha do të vijojë në mënyrën e tij, duke dalë çdo ditë e duke bërë nga një mini-miting, do të akuzojë pa fund Dumanin, më pas Ramën, megjithëse ai ka ikur, nuk heq dorë nga Troplini i tij.
Nuk pres asgjë të re, veç të vjetrën.”
Analisti Roland Bejko ka deklaruar se paratë e dhëna për lobimin e La Civita u përdorën për të ushqyer narrativën e Sali Berishës se shpallja “non grata” ishte e motivuar politikisht, por pa dhënë rezultat. Bejko theksoi se kjo strategji dëmtoi PD, pasi fushata u përqendrua te çështja e “non gratës” dhe jo te parimet apo programi.
“Paratë për La Civita u dhanë për t’i hequr paranojën Berishës, sepse ai e ndërtoi vetë narrativën se “non gratën” ia vendosi Soros, për të bindur militantët e tij. Këtë përrallë nisi ta besonte edhe vetë dhe mendoi se, duke paguar lobistë dhe njerëz të afërt me Trump-in, do t’i hiqej “non grata”, gjë që nuk ndodhi.
Dosja e Berishës nuk është ndërtuar në ajër, por mbështetet në fakte reale, si një figurë që ka penguar demokracinë dhe ka stimuluar korrupsionin. Ky është edhe perceptimi i qytetarëve.
Paratë që dha Berisha nuk e ndihmuan Partinë Demokratike, por e penguan të fitonte zgjedhjet, sepse fushata nuk u përqendrua në një qasje morale dhe parimore, por u kthye në një fushatë të mbërthyer nga ngërçi i “non gratës”. Nga ana tjetër, ai u fokusua edhe në konsolidimin e pozicioneve të tij në krye të PD-së.” / abcnews.al /


