Numri 55, sekreti i goditjeve të dënimit dhe sfida me Hoxhën: derbi i Bathës

schedule08:59 - 27 Shkurt, 2020

schedule 08:59 - 27 Shkurt, 2020

Idriz Batha i ka hedhur hapat e parë si futbollit te Tirana, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te moshat. E ardhmja i rezervoi Partizanin si klub mesfushorit qendror, i cili edhe te të kuqtë mbajti shiritin. Tifozët e deshën shumë, por dashuria e tyre u kthye në urrejtje kur në verë vendosi të vishte fanellën bardheblu. Kishte puthur stemën e Partizanit dhe nuk e pritën mirë.

“Ndodh në futboll që largohet një futbollist. Nuk është se te Partizani nuk kishte dëshirë që mua të më mbanin. Thjesht nuk gjetëm gjuhën e përbashkët dhe u largova. Sigurisht që nuk është as hera e parë dhe as e fundit që një lojtar ikën nga një klub dhe shkëlqen diku tjetër”, thotë Batha në rrëfimin e tij në “Supersport”, ndërkohë që nuk e shikon aspak si një sfidë hakmarrjeje këtë me Partizanin. “Nuk mendoj se është revansh, secili luan për vete, për familjen e tij”, shton mesfushori, i cili ka shumë për të dhënë.

NUMRI I ZGJEDHUR – Mes të tjerash Batha zbulon pse ka zgjedhur numrin 55, që mban mbi shpinë te Tirana: “Mendoj se është një logjikë shumë e thjeshtë. Unë jam shumë i dhënë pas numrit dhjetë dhe zakonisht është numër i zënë, jo vetëm këtu te Tirana. Për më tepër që e kishte një mik dhe një lojtar si Edon Hasani. Zgjodha numrin 55, një logjikë 5+5”.

 

Batha feston me Cobbinah

GODITJET E DËNIMIT – Mesfushori shënoi një gol shumë të bukur me goditje dënimi kundër Kukësit dhe tregon që nuk është rastësi: “Që kur kam ardhur te Tirana kam nisur të stërvitem pak më shumë se në çdo ekip tjetër, pasi janë edhe kushtet më të mira dhe fushën e kemi gjatë gjithë kohës në dispozicionin tonë. Edhe duke qenë se Karabeci është një shok i mirë i imi dhe një kundërshtar shumë i denjë për goditjet standarde. Si të thuash bëjmë një garë, një sfidë mes njëri-tjetrit”

TË HUAJT VS SHQIPTARËT – Batha flet edhe për një temë delikate, që janë të huajt në Superiore. Mesfushori është i mendimit se ata nuk kanë dhënë diçka më shumë se vendasit: “Drejtuesit e futbollit shqiptar janë të apasionuar pas futbollistëve me pasaporta të huaja. Gjithsesi nuk kanë treguar asnjëherë që ka diferenca mes tyre dhe shqiptarëve. Aktivizimi i të rinjve? Pse jo, është akoma më mirë që të promovosh futbollistët vendas dhe t’u japësh një dorë lojtarëve që ke, sidomos nga akademia”.

PËRGATITJA E DERBIT – Batha, tani që ka provuar shijen e fitores në derbi me Partizanin, ka ndryshuar mendim përsa i përket mënyrës se si kjo përballje përgatitet në të dyja kampet. “Deri para ndeshjes që ne fituam, mendoja se kishte diferenca në mënyrën si përgatitej derbi: te Partizani përgatitej me qetë dhe te Tirana përjetohej më shumë. Kam përshtypjen se ka qenë gjithçka rreth rezultatit që mungonte”, shton futbollisti i bardhebluve.

 

Batha, pas golit kundër Partizanit

GOLAT NË DERBI – Batha ka shënuar në derbi me të dyja ekipet dhe të dy golat për të janë të veçantë. “I kam shënuar vetëm një gol Tiranës, sa mbaj mend unë. Të them të drejtën ka qenë një gol i veçantë, pasi penalltinë që u kthye në gol e kam marrë po unë. Erdhi nga një aksion personal si të thuash. Ishte gol i bukur, ishte gol i veçantë, sepse ishte goli im i parë në derbi. Sa i takon festimit, në çdo ekip që kam luajtur kam dhënë maksimumin dhe do vazhdoj ta bëj akoma”.

“Goli kundër Partizanit? Një natë para ndeshjes, me shokët që ne rrimë, me Karabecin, Likën e Osmanin, gjatë gjithë kohës më besoni se kam qenë duke i shurdhuar. U thosha që unë do jem shqiptari i parë që do shënoj në atë stadium. Ky gol, jo se e kam bërë unë, për nga mënyra e realizimit më pëlqen sa herë e shoh. Ishte një ndjenjë e veçantë, sidomos prej faktit që isha afër tifozëve të Tiranës, që kishin kaq shumë vite pa festuar në derbi. Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua që të shënoja të tillë gol dhe në të tillë stadium”.

PËRBALLJA ME ALBAN HOXHËN – Nesër Batha do të donte t’i shënonte sërish Partizanit dhe mikut të tij Alban Hoxha: “Do kem shumë dëshirë ta surprizoj të them të drejtën. Është më shumë se një mik për mua. Kemi kaluar shumë vite bashkë. Është bukur sidomos që të luash kundër tij, sepse mbi të gjitha është portier i kombëtares dhe është një nga portierët më të mirë që Shqipëria ka. Do ishte shumë bukur sikur ta sfidoja edhe njëherë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!