“Nuk vi te Kosova sa të jetë Challandes trajner”, dardani shpjegon shkakun

schedule20:18 - 4 Prill, 2021

schedule 20:18 - 4 Prill, 2021

Leart Paqarada ishte një nga lojtarët e grumbulluar për tre ndeshjet që zhvilloi Kosova pak ditë më parë. Dardanët fituan 4-0 miqësoren me Lituaninë, por humbën dy ndeshjet e para të kualifikueseve të Katar 2022: 0-3 ndaj Suedisë dhe 3-1 përballë Spanjës.

Mbrojtësi i majtë, pjesë e St Pauli në divizionin e dytë të futbollit gjerman dhe autor i tre asisteve në këtë sezon, luajti vetëm në pjesën e dytë të miqësores ndaj Lituanisë, teksa dy takimet ndaj Suedisë dhe Spanjës i ndoqi nga stoli.

26-vjeçari i lindur në Bremen, ka luajtur me moshat e Gjermanisë (U16 dhe U17), numëron 1 ndeshje me Shqipërinë, ndërsa ka zgjedhur të veshë fanellën e Kosovës prej qershorit të vitit 2016 (21 ndeshje dhe një gol).

Prej kohësh nuk preferohet më nga trajneri Bernard Challades, ç’ka e ka detyruar Paqaradën të largohet nga Kosova, për aq kohë sa do të jetë zvicerani në pankinën e përfaqësueses dardane.

Lojtari e ka bërë publik lajmin me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku e cilëson si degradim trajnerin e marrë nga trajneri Challandes, ndërsa shpreh kënaqësinë dhe gatishmërinë për t’u kthyer te Kosova në momentin që në stol do të ulet një trajner tjetër.

POSTIMI I PAQARADËS

Pas shumë komenteve, thirrjeve dhe mesazheve të pranuara nga përfaqësuesit e mediave, ndihem i obliguar ta bëj këtë reagim. Është nder, krenari dhe privilegj për mua dhe bashkëlojtarët e mi të kombëtares të veshim fanellën e Kosovës.

 

Postimi i lojtarit dardan

I mbështetur për muri nga degradimi që më është bërë në vazhdimësi nga trajneri; mosangazhimi në lojë prej vitesh përkundër ftesave për të luajtur; mosrespekti dhe injorimi nga ai më detyrojnë që të vendos që përkohësisht të largohem nga dispozicioni për të luajtur në ekipin që udhëhiqet nga Bernard Challandes.

Përzgjedhjen për të luajtur për Kosovën, krahas Shqipërisë apo në përfaqësueset e grupmoshave të Gjermanisë, e kam bërë pa asnjë mëdyshje, gjë të cilën do ta bëja përsëri, mirëpo jo nën drejtim të Bernard Challandes.

Përkundër respektimit tim maksimal ndaj vendimeve të trajnerit, kam ardhur me pikën që ta mbroj dinjitetin tim nga ai. Si bir i Kosovës jam i gatshëm të vazhdoj të kontribuoj duke luajtur për kombëtaren nga momenti kur të vijë trajneri i ri.

Dashuria ime për Kosovën dhe familjen time është më e madhe se mosrespektimi dhe injorimi i trajnerit. Në fund të ditës, trajnerët janë të përkohshëm, ndërsa Kosova është e përhershme. Ky vendimi i rëndë është momental, Learti“. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!