Ousmane Dembele është kthyer në çështje te Barcelona. Sulmuesi i krahut ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm me klubin katalanas, që po tenton të rinovojë me të. Gjithsesi, si lojtari dhe agjenti i tij po nxjerrin shkaqe të ndryshme duke zvarritur nisjen e negociatave.
Mundo Deportivo shkruan se një sjellje e tillë ka acaruar drejtuesit e Barcelonës, të cilët janë të bindur që e gjithë është me qëllim, pasi lojtari ka marrë një ofertë dhe po pret verën e ardhshme për t’u larguar si lojtar i lirë.
Te Barcelona janë lodhur nga rendimenti i dobët dhe dëmtimet e shumta të 24-vjeçarit, i cili është ndër më të paguarit e skuadrës. Joan Laporta e vlerëson dhe dëshiron të zgjasë bashkëpunimin me të, por shitja është e paevitueshme nëse nuk arrihet akordi i rinovimit.
Juventusi është një nga klubet e interesuara dhe po monitoron situatën. Merkato jo vetëm në dalje për klubin spanjoll. Radio Catalunya raporton se Barcelona i është rikthyer pistës Fabian Ruiz, një dëshirë e kahershme.
Mesfushori i Napolit pëlqehet shumë në “Camp Nou” dhe drejtuesit kanë nisur bisedimet me agjentin e 25-vjeçarit, i cili është grumbulluar me Spanjën për Euro 2020. Emra si Pjanic apo Junior Firpo mund të përfshihen në këtë operacion, por Napoli kërkon vetëm para. /abcnews.al