Nuk rikandiduan në 2019, ish-kryebashkiakët në listat e PD, zbulohen emrat

schedule17:31 - 5 Mars, 2021

schedule 17:31 - 5 Mars, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Lulzim Basha është futur në 72 orët më të rëndësishme në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, atë për vendimmarrjen e emrave që do të jenë në listat e Partisë Demokratike. Në zyrën e kreut të demokratëve janë shumë emra, por kalkulimet që nisën me përfshirjen e aleatëve në lista kanë vijuar me angazhimin e figurave lokale që deri në 2019 drejtonin pushtetin vendor të zgjedhur nën logon e Partisë Demokratike. Duke e akuzuar Edi Ramën për vjedhjen e zgjedhjeve të 2017, Lulzim Basha dhe opozita e bashkuar vendosën të mos hynin në zgjedhjet vendore të 2019.

Sakrificë të cilën kreu i Partisë Demokratike iua kërkoi drejtpërdrejtë drejtuesve vendorë në detyrë, të cilët ishin zgjedhur nën logon e forcës së tij politike. Por shumë prej ish-kryebashkiakëve pritet të konfirmohen si kandidatë të Partisë Demokratike në qarqet ku kanë drejtuar pushtetin vendor. Xhelal Mziu ishte konfirmimi i parë i kreut të demokratëve. Ish-kryebashkiakut me disa mandate në Bashkinë e Kamzës, Basha i besoi drejtimin e qarkut dhe listës në Qarkun e Dibrës.

Në listën e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës priten të jenë dy ish-kryebashkiakë, Zef Hila ish-kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës dhe Ramadan Lika ish-kryebashku i Malësisë së Madhe. Lulzim Basha do t’i jap hapësirë në listat e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës edhe Bledion Nallbatit, ish-kryebashkiakut të Devollit që vendosi t’i bindet vendimit të opozitës në 2019 për të mos rikandiduar. Një tjetër emër i angazhuar për të qenë pjesë e listave të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit është edhe Agron Kapllanaj. Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës është angazhuar prej disa javësh në fushatë.

Dilema e vetme e Lulzim Bashës në rastin “Kapllanaj” është pranimi i këtij të fundit në formularin e dekriminalizimit se ka një dënim të formës së prerë me 2 vjet heqje lirie, vendim i cili është marrë në vitin 2004. Disa prej ish-kryebashkiakëve të PD si Besnik Dushaj në Tropojë, Bashkim Shehu në Kukës apo Eduard Kapri në Pogradec e humbën mundësinë për të qenë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë pasi u skualifikuan nga anëtarësia e PD, gjatë procesit të brendshëm që Partia Demokratike zhvilloi një vit më parë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë./ db/ Abcnews.al