Nuk respektuan masat anti-Covid, gjobiten 1 825 qytetarë dhe 13 administratorë lokalesh

schedule15:33 - 9 Nëntor, 2020

schedule 15:33 - 9 Nëntor, 2020

Të paktën 1825 qytetarë dhe 13 administratorë lokalesh janë gjobitur nga policia pasi nuk kanë respektuar masat anti-Covid gjatë fundjavës.

Me vijimin e kontrolleve në terren në të gjithë vendin, patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1825 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve në fundjavë, policia ka konstatuar 13 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve njoftohet se është ndëshkuar me masën 1.000.000 lekë gjobë.

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 15 qytetarë që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete.

Pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me 3.000 lekë gjobë dhe më pas janë lënë të lirë. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!