Nuk mbanin maskë dhe shkelën orën policore, ndëshkohen 1181 qytetarët e pabindur

schedule13:31 - 19 Shkurt, 2021

schedule 13:31 - 19 Shkurt, 2021

Gjatë 24 orëve të fundit policia ka ndëshkuar me gjobë 1181 qytetarë të pabindur që janë konstatuar duke lëvizur në rrugë pa maskë ose jashtë orës policore.

Policia bën me dije se janë gjobitur me masë administrative 3.000 lekë, 950 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse, ndërsa 223 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Ndërkohë 7 të tjerë janë ndëshkuar pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pasi kishte kaluar ora 20:00 e mbrëmjes.

Njoftimi i plotë:

Ndëshkohen me masë administrative 1181 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, 1173 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 950 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 223 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative dhe janë lënë të lirë.

Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një lokal që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 7 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!