“Nuk krahasohem me “non gratat”/ Rama: Berisha, “zorrë qorre” që duhet operuar përfundimisht

schedule10:16 - 26 Prill, 2023

schedule 10:16 - 26 Prill, 2023

Kryeministri Edi Rama thotë se është një ofendim për të por edhe për socialistët, që të krahasohet me Sali Berishën, që është i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një deklarate për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Rama u shpreh se Berisha është një “zorrë qorre” në trupin e Shqipërisë, që duhet të operohet përfundimisht.

Sipas Ramës, ai nuk krahasohet me të shkuarën, që është dyshja Sali Berisha-Ilir Meta.

Ndër të tjera, ai nënvizoi se herët a vonë, drejtësia do të merret me Berishën dhe Metën.

“Unë nuk bëj asnjë krahasim, sepse është një ofendim për mua dhe është ofendim për socialistët që unë të bëj krahasime mes meje dhe “non gratave”, apo një zorre qorre që është në trupin e Shqipërisë si një torturë e vazhdueshme dhe që Shqipëria po e adreson sigurisht, por që duhet ta operojë përfundimisht në një moment të caktuar. Unë nuk bëj asnjë krahasim dhe unë flas për sot. Rrogat po rriten sot dhe po rrithen siç nuk janë rritur kurrë. Dhe që Shqipëria do kishte një rrogë mesatare 900 euro kur ka dalë nga një kthesë me tërmet, me pandemi, me luftë, inflacion, këtë besoj se nuk mund ta imagjinonte tjetër kush e jo më ta bënte përveç Partisë Socialiste. Kështu që, unë nuk krahasohem. Në poster është e ardhmja dhe e shkuara, kaq e thjeshtë është. Nuk ka lidhje fare me asgjë tjetër. Ne nuk e zgjedhim se kush janë kundërshtarët tanë, kundërshtarët tanë i zgjedh vota.

Ka një pjesë të shqiptarëve, që ende, fatkeqësisht vazhdojnë të zgjedhin njerëz të cilët duhet t’i kishin dërguar me kohë të shikonin hallet e tyre dhe të merreshin me problemet që kanë me drejtësinë, të cilat janë probleme që nuk kanë për t’u zgjidhur kurrë, si çudia që zgjat pak ditë, sepse drejtësia vonon, por gjithmonë e më pak ka shanse që t’i harrojë këto njerëz. Dhe do të shikoni që drejtësia do të veprojë me patjetër, më herët se sa vonë. Ajo që mua më neverit më shumë, është që këta mjerëz të venë në pikëpyetje dhe kanë pasur kurajon dhe kanë arritur të marrin me vete një pjesë të shqiptarëve, në raport me miqësinë dhe me domosdoshmërinë e marrëdhënieve strategjike me SHBA dhe partnerët tanë. Vërtet BE nuk ka një normë të tillë si shpallja “non grata” të një individi, por të jeni të sigurt që hapet askund dera për këta. Jo vota të marrin këta, është një çmenduri që të diskutohet kjo gjë”, theksoi kreu i qeverisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!