Vazhdon të jetë e tensionuar marrëdhënia mes Papu Gomez dhe trajnerit të Atalantës, Gianpiero Gasperini. Sulmuesi argjentinas i është përgjigjur deklaratës së italianit, i cili justifikoi lënien jashtë të Gomez për shkak se ai nuk po përshtatet me ndryshimet në taktikë dhe formacion.
Papu postoi disa foto në “Instastory”, ku duket ai në lojë duke i ardhur në ndihmë lojtarëve të tjerë. Kjo ishte përgjigjia e lojtarit, i cili pritet të largohet nga bergamaskët këtë merkato. Ka qenë vetë presidenti i Atalantës, Antonio Percassi, i cili ka konfirmuar se marrëdhënia midis tyre nuk mund të rregullohet.
Kujtojmë që një lojtar si Gomez ka luajtur vetëm 37 minuta në Serie A që nga fillimi i dhjetorit dhe padyshim që ai kërkon të largohet. Problemi qëndron se klubi nuk dëshiron ta shesë tek rivalët direkt të kampionatit, por mund të pranojë dhe një ulje çmimi nëse ai do të shitet jashtë Italisë. /abcnews.al