Padyshim protagonisti absolut në atë fitore, 1 me 0, të “zikaltërve” të Inter, ndaj “verdhekuqve” të Roma-s ishte “ylli” i Kombëtares sonë, Kristjan Asllani, i cili me atë pasim nga pothuajsve 50 metra distancë incioi aksionin e golit, duke i dhënë “frymë” lojës së skuadrës së teknikut Inzaghi, edhe pse u fut në fushën e lojës vetëm në minutën e 75’-të.
Pas ndeshjes elozhet për 21-vjeçarin e mesfushës nuk munguan as nga tekniku, Simone Inzaghi, i cili përveçse vuri në dukje talentin e madh që posedon “strategu” i mesfushës u shpreh se hyri në fushën e lojës, me shumë “personalitet”.
“Asllani ishte shumë i zoti. Të futesh në një Inter – Roma në këtë mënyrë nuk është e lehtë. Ai hyri me shumë personalitet, po rritet shumë dhe po fiton minuta pasi ka një sjellje prej profesionisti”,- u shpreh tekniku italian.
Mirëpo, jo vetëm kaq, pasi elozhe për djaloshin nga Elbasani thuri edhe “arkitekti” turk i mesfushës, Hakan Calhanoglu, i cili e konsideroi shokun e tij të skuadrës, si një lojtar shumë të fortë dhe me shumë kualitet.
“Është e rëndësishme të jemi gjithmonë të bashkuar dhe të gjithë janë të rëndësishëm. Asllani po rritet , është një lojtar shumë i fortë dhe ka shumë kualitet. Lëviz shumë, jemi të fortë dhe ata që futen bëjnë gjithmonë diferencën”,- theksoi Çalhanoglu.