Nuk ka president konsensual, digjet dhe raundi i tretë

schedule15:53 - 29 Maj, 2022

schedule 15:53 - 29 Maj, 2022

Nga Erneta Shevroja

Tre javët e bisedimeve për President të dakordësuar po mbyllen pa konsensus. Kjo e diel ishte mundësia e fundit e opozitës për të propozuar një emër për kreun e shtetit, por të gjitha propozimet që u bënë nga demokratët, mbetën vetëm pjesë e diskutimit në selinë e PD-së.

Të hënën në orën 10:00 mblidhet seanca e tretë e posaçme, për të ezauruar dhe raundin e tretë për Presidentin.

Kjo do të bëjë që pasuesi i Ilir Metës në Presidencë të zgjidhet me vetëm votat e Partisë Socialiste, e cila u angazhua në një proces të zgjeruar, nga propozimet e deputetëve, tek qytetarët dhe shoqëria civile.

Se cili do të jetë Presidenti i 5 viteve të ardhshme, pritet të mësohet pas ezaurimit të raundit të tretë, që sipas gjasave, nuk do të zbatohen afatet maksimale që parashikon Kushtetuta.

Pritet që Edi Rama të mbledh shpejtë grupin parlamentar dhe Kryesinë e PS-së, për të përcaktuar Presidentin, që sipas profilit të deklaruar prej tij, duhet të jetë një njëri normal, pa ambicie për jetë politike aktive, i kundërt nga Ilir Meta.

Presidenti i ri do të zgjidhet gjatë raundit të katërt, ku nevojiten vetëm 71 vota të socialistëve.

Taulant Balla, dy ditë më parë deklaroi se kryetari i ardhshëm i shtetit do të tejkalojë numrin e deputetëve të PS-së, duke shtuar se ai do të bisedojë për këtë me grupet opozitare në Parlament, që drejtohen nga Mesila Doda dhe Fatmir Mediu.

I kontaktuar nga ABC, këtë të diel, kreu i grupit parlamentar Aleanca per Ndryshim, Fatmir Mediu, në të cilin bëjnë aleatët e PD, Dashamir Shehi, Vangjel Dule, e Agron Duka, tha se, pa një emër nga opozita, nuk ka çfarë të negociojë dhe nuk bëhet pjesë e procesit, gjatë raundit të katër.

Të hënën përveç se për Presidentin, në orën 11:00 seanca e Parlamentit do të vijojë me diskutime për çështje të tjera. /abcnews.al