Nuk ka “fitues” në Katëgorinë e Parë, katër sfidat e ditës mbyllen në “paqe”

schedule19:16 - 17 Shtator, 2023

schedule 19:16 - 17 Shtator, 2023

Janë mbyllur pa fitues katër ndeshjet e para të javës së tretë në Kategorinë e Parë, ku më konkretisht Apolonia ngeci në “shtëpi” në një barazim 1-1 përballë Besës. Skuadra kavajase e mbylli pjesën e parë në avantazh, me anë të “fantazistit”, Albi Xhabrahimi, por fierakët evituan humbjen në minutat shtesë, falë golit të nigerianit Umejiego.

I njëjti rezultat edhe në Bylis-Tomori. Ballshiotët u frenuan pas dy fitoreve radhazi, njësoj si Apolonia. Braziliani Jonathan kaloi beratasit në avantazh në fraksionin e parë të takimit. Vendasit reaguan në të dytën dhe siguruan pikën nëpërmjet realizimit të Serxhio Eminit.

Kastrioti-Flamurtari përfundoi ashtu siç nisi: 0-0. “Kuqezinjtë” nga Vlora, që mbeten në kërkim të suksesit të parë, e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë. Pas daljes me të kuq të sulmuesit Marko Krivicic. Rezultati 0-0 u regjistrua edhe në përballjen Luzi-Korabi.

Ndërkaq, pas këtyre sfidave në renditjen e përgjithshme Apolonia dhe Bylis kryesojnë kampionatin me nga 7 pikë. Kuotë që mund të arrijë edhe AF Elbasani, nëse fiton të hënën përballë Lushnjes në transfertë. /i.m /abcnews.al