“Nuk jam racist, shumica e dinë mirë këtë”, Coltescu reagon për episodin me Webo

schedule12:33 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 12:33 - 9 Dhjetor, 2020

Ndeshja PSG-Basaksehir për Champions League u ndërpre në minutën e 16 për shkak të fjalëve raciste të përdorura nga gjyqtari i katërt i ndeshjes Sebastian Coltescu, drejtuar Pierre Webo, ndihmës trajnerit të Basaksheir.

“Jepi atij të ziut një të verdhë (karton), diçka e tillë është e pamundur. Ai atje, atje! Ai i ziu atje! Kjo s’mund të ndodhë”, mësohet të jenë fjalët e Coltescu drejtuar arbitrit të parë Ovidiu Hategan, ndërkohë që Webo protestonte fuqishëm një vendim të arbitrit.

 

Pas kësaj lojtarët e Basaksehir u drejtuan menjëherë duke i kërkuar llogari gjyqtarit dhe bojkotuan ndeshjen, duke mos pranuar të rihyjnë në fushë. Protestën e tyre e ndoqën edhe lojtarët e PSG dhe pas dy orësh ata lanë stadiumin “Parc de Princes”.

https://streamable.com/evastq

Ndeshja do të luhet ditën e sotme. Së fundmi mësohen edhe fjalët e para të Coltescut pas atij gabimi, që duket se do i kushtojë shumë. Prosport nga Rumania raporton se ai ka komunikuar me të afërmit e tij dhe është shprehur se nuk është racist dhe ata që e njohin e dinë mirë këtë.

“Unë thjesht po përpiqem të jem i qetë. Nuk do të lexoj asnjë medie këto ditë. Kushdo që më njeh e di se unë nuk jam racist. Shpresoj që kjo të paktën të kuptohet”, mësohet të jetë shprehur Coltecsu.

 

Në lidhje me këtë çështje foli edhe gjyqtari kryesor i ndeshjes, Ovidiu Hategan. Ai shprehet se ndihen të shkatërruar emocionalisht, por nuk duan të komentojnë asgjë deri në raportin e UEFA ndaj Coltescu.

“Nuk mund të bëjmë asnjë deklaratë, së pari duhet të flasim me UEFA-n. Do të doja të përgjigjesha, por jo sonte. Padyshim jemi të shkatërruar, por respektojmë heshtjen e kërkuar dhe reflektojmë mbi situatën”, u shpreh Hategan. /abcnews.al