Nuk është humor!

schedule09:41 - 8 Shkurt, 2023

schedule 09:41 - 8 Shkurt, 2023

Nga Ergys Mërtiri

Fantazia e Berishes per te sajuar skenarë imagjinarë mbi ngjarjet politike ia kalon asaj të çdo shkrimtari.
Këto dite ai u detyrua ta modifikojë skemen e alibisë se vet pertej çdo omagjinate, duke deklaruar se McGonigal nuk paska komplotuar kunder Bashës por kundër tij. E gjithë kjo paska qene pjese e nje plani me 3 faza: (1) kapja e Bashës me dosjen Nick Muzin, (2) eleminimi i opozitës duke shpallur Berishën non gratën dhe (3) eleminimi i plotë i opozitës nga zgjedhjet nëpërmjet marrjes së vulës.

Pra, megjithëse Rama ka paguar para për ti sajuar Bashës një hetim, ai nuk ka pasur për qëllim ta shkatërrojë atë politikisht, por ta mbajë atë peng, në mënyrë që të godasë Berishën dhe, për rrjedhojë, gjithë opozitën.

Nuk është humor. Eshtë alibia ku e vetëquajtura “opozitë e vërtetë” po mbështet revolucionin që ka një vit e gjysëm që thotë se do të fillojë po që s’po e ndez dot.

Sipas Berishës, Rama paska pasur aq fuqi mbi organet hetimore amerikane sa, jo vetëm të hapë një hetim ndaj Bashës, por edhe qe ta zgjasë atë pa fund, në mënyrë që të ketë mundësi ta mbajë peng. Po në të vërtetë ai e ka pasur Bashën ortak dhe e ka përdorur për të goditur Berishën si lider i “opozitës së vërtetë”.

Pasi ka një vit e gjysëm që tregon përralla me Soros tani del se qenka FBI-ja prapa gjithçkaje, dhe Sorosi s’paska pasur kurrfarë gishti në këtë plan për shkatërrimin e opozitës. Pasi ka një vit e gjysëm që thotë se Basha është i shitur tek Rama, pasi del se Rama paska dhënë para për ta zhdukur politikisht, i duhet tashmë të shpikë akrobacira konspirative qesharake për ta mbajtur gjallë përrallën e vet.

Pasi ka një vit e gjysëm që bashkon zërin me Ramën per ta njollosur opozitën me rubla ruse imagjinare dhe tashmë del se gjithçka paska qenë e inskenuar nga armiku, sajon skenarë haluçinativë humoristikë, për të mbajtur gjallë idenë se ai është objekt i një komploti botëror.

Ndër të tjera, ai po e përdor gjithashtu skandalin e fundit për të thënë se edhe SHBA-të janë të korruptuar dhe McGonigal ka komplotuar per shpalljen e tij non grata. Ai kërkon të na bindë se, përderisa Berisha vetë s’mund të jetë i korruptuar (siç u sanksionua nga Departamenti i Shtetit) atëherë e korruptuar është Amerika.

Në fakt, skandali tregoi vetëm sesa e vështirë është që non grata të jetë lojë lobingjesh. Megjithëse Rama arriti të korruptojë shefin e kundërzbulimit të FBI-së, ai nuk arriti dot të hapë një hetim mbi Nick Muzin. Vetë vartësit e tij nuk ia pranuan nisjen e hetimit, ndërsa vetë shefi u vu në hetim pas dyshimeve për gjëra fare të vogla dhe sot ai është para drejtësisë. Pretendimi se nëpërmjet aferave të tilla Rama paska kapur Departamentin e Shtetit dhe një sërë shërbimesh të cilat kanë marrë pjesë në hartimin e dosjes që sanksionoi Berishën është një banalitet i ekzagjeruar.

Gjithsesi ne mund të argëtohemi gjithë ditën me fabulat e Berishës, por, idjea se me të tilla përralla opozita mund të ngrejë vendin në revolucion e mund të përmbysë autokracinë e Ramës është thjesht një çmenduri që dëmton vetëm vetë opozitën ndërsa i garanton vijueshmëri pushtetit të Ramës, në gjendjen e tij më të dobët e të brishtë që ka qenë ndonjëherë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!