Është vetëm 15 vjeçe por ia ka dal të bëjë krenar një komb. Enkileda Carja është padyshim krenaria e qytetit të Elbasanit dhe ylli në ngritje i sportit të Peshëngritjes Shqiptare. Kjo sportiste që sot është vetëm 15 vjeçe tregon se pasionin për këtë sport i lindi duke parë motrën e saj më të rritur e cila gjithashtu është peshëngritës.
Që në moshën 9-vjeçare Enkileda do të fillonte stërvitjen intensive dhe do të bëhej pjesë e grupit të peshëngritjes së qytetit të Elbasanit. Falë punës së palodhur dhe stërvitjes çdo ditë ajo ia arriti që të shpallej e 3-ta në botë vetëm pak ditë më parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes U 17 të zhvilluar në qytetin e Durrësit. Enkileda tregon se si e përjetoi garën më të rëndësishme për të deri më tani.
Ajo thotë se pavarësisht se në fillim ka ndjerë një paragjykim për shkak se ky sport konsiderohet si sport burrash kjo nuk e ka ndalur të zhvillojë talentin e saj dhe ta mendojë si një profesion Peshëngritjen.
Vitet e fundit sporti i peshëngritjes ka njohur një interes të madh sa i takon femrave. Englantina Çuni, trajneria e Enkiledës thotë se ajo është ndër vajzat më të talentuar që ka stërvitur dhe se arritjet e saj do të vijojnë të na bëjnë krenar siç ndodhi në kampionatin botëror të peshëngritjes U 17 ku spikati ndër më të mirët mes 57 ekipeve nga mbarë bota.
Të jesh një sportiste e mirë nuk mjafton vetëm pasioni. Enkileda stërvitet çdo ditë 5 orë në palestër nën kujdesin e trajneres së saj.
Tituj në mure janë dëshmi e punës së palodhur, sakrificës dhe këmbënguljes për të ndjekur një profesion i cili nuk është i lehtë. Enkileda thotë se kjo është zgjedhja e saj në jetë dhe fton të gjithë të rinjtë që të angazhohen me sporte.
Enkileda “vajza e artë” e Elbasanit premton një të ardhme të ndritur në këtë sport . Ajo ka nevojë vetëm për pak mbështetje dhe dashuri nga të gjithë për të skalitur emrin e saj në preludën e sportistëve botëror./abcnews.al