Nuk e stërviti skuadrën sot, Nica lë Laçin para betejës me kampionët

schedule16:33 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 16:33 - 8 Dhjetor, 2020

Para rreth dy javësh Laçi vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Armando Cungun dhe në krye të skuadrës u vendos trajneri i ekipit të dytë, Stavri Nica, i cili e ka drejtuar edhe më parë skuadrën kurbinase.

Trajneri i njohur e drejtori skuadrën në dy ndeshje. Ndaj Apolonisë përfundoi me shifrat 6-1, duke rikthyer skuadrën te fitorja, ndërsa ndaj Skënderbeun bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1, duke u kthyer në ujërat e mëparshëm.

Sot, një ditë para ndeshjes së nesërme ndaj kampionëve në fuqi, Tiranës, zbulohet se Stavri Nica e ka lënë skuadrën. Ai nuk është paraqitur në stërvitjen e sotme dhe nuk do të jetë në krye të skuadrës ditën e nesërme ndaj bardhebluve.

 

Ky lajm vjen si një rrufe në qiell të hapur sepse parashikohej që Nica të qëndronte të paktën deri në fund të këtij viti, për të gjetur më pas një trajner në qetësinë, që të ofrojnë pushimet e fundvitit. Tashmë planet e Laçit ndryshojnë dhe do i duhet të gjejë një trajner më shpejt siç e kishte menduar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!