Nuk e ndërruan besimin/ Ortodoksët e Senicës s’u kthyen në myslimanë gjatë pushtimit otoman

schedule20:48 - 4 Nëntor, 2023

schedule 20:48 - 4 Nëntor, 2023

“Mu bëftë haram gjiri mëmës dhe mos lënça bina, po shkela bene dhe ndërrova fenë”, kështu u betuan 400 vite më parë banorët e fshatit Senicë në Delvinë. Në vitin 1610 ata u zotuan se nuk do ta ndërronin besimin e krishterë pavarësisht pasojave që mund të kishin nga perandoria osmane.

Rreth 160 vite më pas nga ky betim po në këtë fshat u mbajt Kuvendi i Senicës që u mblodh me iniciativën e patriotit Idriz Sulli. Në Kuvend morën pjesë krerët më në zë të trevave të Jugut, me shtrirje nga zonat e Labërisë, Himarës, Çamërisë, Delvinës, e më gjerë.

Ishte periudha kur brenda Perandorisë Otomane dhe Portës së Lartë kishte filluar të merrte jetë ideja e krijimit të kombit turk, që mbështetej mbi pjesëmarrjen në të popujve brenda Perandorisë, që i përkisnin fesë muslimane, ose me shumicë të tillë, siç ishte edhe populli ynë.

Idriz Sulli duke parë rrezikshmërinë e të ardhmes së Kombit Shqiptar nga realizimi i një ideje të tillë e shtroi si një nga çështjet kryesore këtë problem në këtë Kuvend. Ai mbështeste fort fillimin e procesit për rilindjen e Kombit Shqiptar, jo mbi bazë regjionesh fetare, por mbi bazën e lidhjes së gjakut dhe gjuhës.

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive banorët e ruajtën dhe përcollën besimin e krishterë deri në ditët e sotme.

Fshati i vendosur përreth kishës së Shën Dhimitrit është i vetmi me besimin ortodoks mes 7 fshatrave të Rrëzomës. Por lavdia historike i takon të shkuarës sot fshati është braktisur.

Duk Duka është një nga banorët e pakët që ka mbetur në Senicë. Jo pa nostalgji kujton se fshati dikur ishte plot njerëz e jete.

Përveç bukurive natyrore ne fshat mund të vizitohet edhe muzeu i dijes, ku ka qenë ndërtuar shkolla e parë shqipe. Banorët shpresojnë që për gjithë vlerat që mbart fshati autoritetet vendore dhe ato qëndrore te kthejnë sytë dhe të investojnë në Senicë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!