“Nuk e kam takuar kurrë Spartak Dobin”, Manja reagon pas deklaratës së bashkëshortit të Rozetës: Ka shpikur dialogun me mua

schedule11:10 - 9 Janar, 2023

schedule 11:10 - 9 Janar, 2023

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar pak minuta më parë nëpërmjet një postimi në “facebook” pas deklaratave të Spartak Dobit, bashkëshortit të Rozeta Rakipllarit.

Dobi, në një intervistë për mediat pas arrestimit të gruas dhe djalit të tij u shpreh se ka pasur një takim me Ministrin e Drejtësisë, ku ky i fundit i ka premtuar lirimin e djalit.

Manja nëpërmjet reagimit thekson se nuk e njeh dhe se nuk e ka takuar kurrë Spartak Dobin dhe dialogu mes tyre është i shpikur.

Reagimi i Ulsi Manjës:

Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë.

Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar.

Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi patur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike.

E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë.

Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!