Albin Kurti është i bindur se reciprociteti në raportet me Serbinë është politika e duhur që do të ndjekë qeveria e tij. Teksa paraaradhesi i tij Haradinaj që e vendosi këtë tarifë i kërkoi që mos ta heqë atë, në intervistën për “Zërin e Amerikës” kryeministri ri i Kosovës, thekson se tarifa 100% ndaj mallrave serbe do zëvendësohet, pra nuk do ketë asnjë situatë pa tarifë dhe pa reciprocitet.
“Unë qysh në fillim kam deklaruar që tarifat nuk janë në kuadër të vizionit të lëvizjes Vetëvendosje, edhe atëherë kur isha në opozitë. Këtë e kam përsëritur në fushatë, ne kemi insistuar në parimin e reciprocitetit i cili nuk e kuantifikon raportin me Serbinë, por paraqet një kualitet të ri për shtetin e Kosovës. Nëse duam marrëdhënie të mira fqinjësore, nëse duam normalizim, atëherë do të duhej të sillemi në mënyrë normale e kjo do të thotë ta respektojmë edhe tjetrin e jo vetëm ta dashurojmë vetveten. Prandaj mendoj që Serbia do të duhej që ta ndryshojë qasjen karshi Kosovës, sepse për një normalizim që e kërkojmë të gjithë, edhe ne edhe faktori ndërkombëtar, besoj që shumë më tepër duhet të ndryshojë Serbia sesa Kosova”, u shpreh Kurti.
Albin Kurtit i janë drejtuar thirrje edhe nga diplomatë perëndimorë, si i derguari i Trump, Grennell dhe shefi i politikës së jashtme evropiane Borell që tarifat të hiqen menjëherë. Kreu i qeverisë në Kosovë shprehet se nuk mund të japë një datë se kur do të vendosen reciprocitet karshi Serbisë.
“Pra ne nuk duam hakmarrje, ne duam drejtësi, reciprociteti është korrektësi, është në regjistrin e drejtësisë dhe unë e di që në njërën prej deklarimeve të tij edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Trump, e ka përmendur reciprocitetin si vlerë e si koncept që ai e ka përzemër, pra marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë ndërtohen me këtë parim. Nuk kemi pse ne ta anashkalojmë vetveten. Ne nuk dëshirojmë që të hakmerremi ndaj Serbisë, mirëpo ka shumë gjëra të papranueshme që i bën ajo karshi nesh e neve na nevojitet që minimalisht të mbrohemi, pra reciprociteti nuk është fare ofensiv. Fushata e Serbisë është ofensive, reciprociteti është mbrojtje, është defansiv, është minimumi për një lloj dinjiteti dhe integriteti të subjektivitetit tonë si shtet në aspektin e jashtëm”, deklaroi Kurti.
Në intervistën për “Zërin e Amerikës, ku flet për përparësitë e punës së qeverisë së tij, kryeministri Kurti thotë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti. Por ai nuk pret ndonjë dialog thelbësor e as rezultate të shpejta perderisa edhe Serbia është në prag të zgjedhjeve./abcnews.al