Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një shqiptar pasi ka kërcënuar të fejuarën e tij me thikë. 26-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, u arrestua të dielën e 29 Prillit.
Ka qenë e fejuara e tij, edhe kjo shqiptare, 24 vjeçe, që ka lajmëruar policinë. Kur autoritetet arritën në vendin e ngjarjes, një dyqan ushqimoreje të zotëruar nga çifti, kanë gjetur shqiptaren të traumatizuar dhe me një hematomë në krah, shkaktuar sipas saj, nga i dashuri i saj gjatë grindjes.
Sipas mediave italiane, ajo është shprehur se i fejuari i saj prej disa kohësh ishte xheloz për të, madje kishte ushtruar dhunë fizike.
Në dyqan, policia gjeti një thikë kuzhine, që sipas 24-vjeçares, ai e përdori për ta kërcënëuar.
Sipas mediave italiane, 26-vjeçari e ka kërcënuar të fejuarën e tij edhe në sy të agjentëve të policisë.
“Ki kujdes me ato që bën… do ta shikosh kur të dal se çdo të të bëj” dhe “K***ë… më fute brenda… jam i gatshëm të bëj edhe 10 vjet, por ti nuk do të kesh shpëtim”, është shprehur në shqip 26-vjeçari.
E fejuara e tij është shprehur se ka qenë shpesh viktimë e dhunës kohët e fundit, por nuk ka shkuar asnjëherë në spital, apo ta denoncojë 26-vjeçarin. Ndërkohë, policia e shoqëroi shqiptarin në rajon, ku zbuluan se ai kishte precedentë të mëparshëm penal për ushtrim dhune. /abcnews.al