Vetëm 2 ditë na ndajnë nga zgjedhjet elektorale dhe këtë të premte partitë politike mbyllin fushatën e tyre elektorale. Analisti Arben Meçe në ABC News tha se ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kjo fushatë elektorale kësaj here ka vazhduar shumë normalisht, pa pasur incidente të rënda. Sipas tij nëse më parë bandat e krimit kanë qenë shumë aktive në zgjedhje, tani nuk janë më pasi janë në burg, dhe kjo është një gjë që duhet përgëzuar.
Ai u ndal edhe tek kampi opozitar, të cilin e cilësoi si të përçarë, të pa organizuar dhe të pafuqishëm për të përballur sfidat. Meçe me bindje tha se jo vetëm nga sondazhet, por dhe nga opinioni publik kishte kuptuar qartësisht se nuk do të kemi një rikthim të opozitës në pushtet.
“Denoncimet nga ana e opozitës janë denoncime jo potente. Ngjarjet po zhvillohen në mënyrë normale dhe ajo që unë vlerësoj këtë radhë është që të gjitha bandat që kanë qenë aktive më parë tani janë në burg. Opozita është shumë e çorganizuar dhe e papërgatitur për të përballur sfida. Mitingjet e kohëve të fundit, vërtetuan që është një opozitë jo e fortë politike. Nuk do të kemi një rikthim të opozitës në pushtet, kjo edhe nga sondazhet, por dhe nga një frymë e përgjithshme e opinionit publik, të cilët nuk po shohin një ndryshim”, tha analisti./abcnews.al