Nuk dimë t’i fitojmë të fundit/ Kombëtarja dështon në mbyllje eliminatoresh, “Kuqezinjtë” vetëm dy fitore në sfidat përmbyllëse nga 2015

schedule16:36 - 9 Nëntor, 2024

schedule 16:36 - 9 Nëntor, 2024

Nuk mund të themi se nuk kemi qenë të suksesshëm.

Përkundrazi, kombëtarja shqiptare ka siguruar dy herë kualifikimin në finalet e Kampionateve Europianë që nga viti 2014 e deri më sot, por gjithsesi, kur ka ardhur puna tek ndeshjet e fundit në grupe, nuk e kemi pasur aspak të lehtë.

Kjo statistikë vlen të shqyrtohet dhe të kihet parasysh ndërsa kuqezinjtë do të luajnë pikërisht dy sfidat përmbyllëse në grupin 2 të Nivelit B të Ligës së Kombeve, dhe objektivi mbetet vendi I parë.

Nëse marrim në analizë fazat eliminatore që nga Europiani 2016 e deri më sot, kemi luajtur 10 ndeshje të fundit, nga të cilat kemi fituar vetëm dy.

Flitet për pesë faza eliminatore në Europianë dhe Botërorë.

Njëri sukses ishte ai I famshmi 3-0 në Armeni, pikërisht në Euro 2016, që na siguroi kualifikimin për në Francë.

Fitorja tjetër ishte një 1-0 e dobët ndaj Andorrës në “Arenën Air Albania” në eliminatoret e Kupës së Botës 2022.

Humbjet janë plot 5, pra gjysma, ku spikasin një 0-5 në “Uembli” të Londrës kundër Anglisë në Botërorin 2022, apo 0-2 në përurimin e “Arenës Air Albania” ndaj Francës në 17 nëntor 2019, në Europianin 2020.

Natyrisht, që kanë qenë të pashmangshme disfatat me gjigandë të tillë si Italia, 0-1 në Shkodër për Botërorin 2018, dhe 0-3 në Spanjë në të njëjtat eliminatore.

Një ndeshje që mbahet mend dhe për të cilën ekzistonte frika e trazirave, ishtë ajo ndaj Serbisë në “Elbasan Arenë” në eliminatoret e Europianit 2016, që u humb 0-2 në minutat e fundit.

Një barazim që na tronditi ishte ai 2-2 me Andorrën pak përpara sfidës ndaj Francës në Euro 2020.

Gjithsesi, dy barazimet e fundit, arritur në eliminatoret e Europianit të fundit duhet të quhen të pranueshëm.

Me rezultatin 1-1 në Moldavi, Shqipëria e Silvinjos siguroi kualifikimin për në Gjermani, ndërsa 0-0 ndaj Ishujve Faroe ndodhi menjëherë pas këtij kualifikimi, kur edhe motivimi nuk ishte maksimal. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!